Freda Kanani dhe Eni Zylyftari janë dy vajza që përveçse moshës së re i bashkon dhe historia e trishtë e humbjes së të atit. Të dyja janë vajza punonjësish policie që ka rënë në krye të detyrës. Por humbja e njeriut të afërm nuk i ka bërë të dobëta. Ato janë mbështetur te njëra-tjetra dhe te të rinj të tjerë me të njëjtin fat për të formuar një fondacion që do t’ju vijë në ndihmë 224 familjeve të efektivëve të rënë në krye të detyrës. Vajza e Andrea kananit, efektivit të vrarë në vitin 1998 në krye të detyrës, Freda, tregon se fondacionit i është vene emrin “gjurmë”, për të vlerësuar sakrificën e policëve të vrarë, dhe për të vazhduar kontributin për shoqërinë nën gjurmë të tyre.

Pjesë e fondacionit është dhe Eni Zylyftari vajza e dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftarit i vrarë në vitin 2000. Ajo tregon se nisma e tyre ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës në familjet që kanë humbur njerëzit e tyre në krye të detyrës, ku prioritet mbeten fëmijët e mbetur jetimë. Puna për krijimin e këtij fondacioni ka rreth 6 muaj që ka filluar me formësimin si ide dhe në drejtimin e Aldo Gjokës, djalit të policit të vrarë Nikoll Gjoka, ka pak ditë që fondacioni “gjurmë” ka nisur aktivitetin në përputhje me legjislacionin shqiptar për organizatat jo fitimprurëse.

Rasti i parë që fondacioni “gjurmë” mori përsipër ishte në familjen e efektivite të rënë në krye të detyrës Kol Ndreshaj në Shkodër. Anëtarët e saj jetonin në një banesë tejet të amortizuar, por falë kontributit të 11 mijë punonjësve të policisë kjo familje do të ketë një banesë të re. Fondacioni pritet që me kalimin e kohes të zgjerohet me më tepër anëtarë e donatorë për të ofruar mbështetje për strehim, shkollim, trajtim shëndetësor dhe social për familjet e policëve të rënë në detyrë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: