Një foshnje nigeriane 9 muajshe ka mbërritur e vetme në ishullin e Lampedusës në Itali. Nëna e saj, shtatzënë me fëmijën e dytë humbi jetën gjatë udhëtimin me anije në det për shkak të djegieve të rënda nga karburanti. Kështu kanë rrëfyer të mbijetuarit e lundrimit me anije që trupat e shpëtimit e quajtën të tmerrshëm për shkak të kushteve tmerrësisht të këqija në të cilat ndodheshin refugjatët.

Vogëlushja është vizituar menjëherë, i është dhënë qumësht dhe rroba të reja. Gjatë gjithë ditës është mbajtur nën vëzhgim nga Pietro Bartolo, përgjegjës i poliklinikës së Lampedusës dhe protagonist madje i filmit të fundit të Gianfranco Rosi, “Zjarr në det”.

“Foshnja është mirë-thotë Bartolo.- I kemi dhënë qumësht, i kemi ndërruar rrobat. Ishte lehtësisht e dehidratuar, por është mirë. Ka qëndruar në ambulancë për disa orë, më pas e shoqërova vetë në qendrën e pritjes dhe ja dorëzova policisë. Është në duar të sigurta”.

Emri i foshnjës në italisht përkthehet “E privilegjuar”. “Në të vërtetë ka që tani një histori tragjike pas krahëve. Në gomone është mbajtur nën kujdes nga një grua. Emigrantët kanë treguar të gjithë të njëjtin version për vdekjen e të ëmës së foshnjës dhe kjo na konfirmon se gjërat kanë shkuar vërtetë ashtu. Për më tepër që fatkeqësisht nuk është hera e parë”, tregon mjeku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: