Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Gjirokastër. Mësohet se automjeti i OSHEE-së ka rënë nga ura, duke përfunduar në lumin Drino dhe për pasojë dy elektricistë kanë humbur jetën.

Aksidenti ndodhi në fshatin Kordhocë. Gazetarja Brikena Metaj raporton per ‘BalkanWeb’ se punonjësit Selfo Kallfa, 52 vjeç dhe Ismet Isaraj, 64 vjeç kanë qenë në Dervician dhe po shkonin për riparim në fushën përballë Lazaratit.

Ndër të tjera Metaj raporton se trupat e viktimave i ka marrë rrjedha e lumit me vete. Polumbarët e RENEA-s dhe zjarrfikësit kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Informacion paraprak

Rreth orës 00:30, në shtratin e lumit Drino, një automjet të OSHEE-së, në përpjekje për të kaluar lumin, e ka marrë rrjedha e lumit dhe për pasojë kanë humbur jetën dy elektricistët që ndodheshin në mjet, shtetasit I. I., 64 vjeç dhe S. K., 52 vjeç banues në Gjirokastër.

Trupat e të dy shtetasve u nxorën nga polumbarët e RENEA-s. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb