SHKODËR

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në njësinë Guri i Zi, pjesë e bashkisë Shkodër. Një 10-vjeçar me inicialet N.Y ka humbur jetën në mënyrë aksidentale, pasi po tentonte të bënte një video sikur po vetëvritej me qëllimin për ta hedhur në rrjetin social Tik Tok. Sipas burimeve, kjo tentativë e vetëvrasjes së 10-vjeçarit, e nisur si një shaka, ka përfunduar në një tragjedi për atë, familjen e tij, të afërmit dhe rrethin shoqëror.

Sipas burimeve, shtetasi N.Y. ndodhej i vetëm në atë moment, kur po tentonte të realizonte këtë video dhe papritur diçka nuk ka shkuar mirë për të, duke bërë që të humbë jetën në vetëm pak minuta.

Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur të vetëvarur 10-vjeçarin, i cili ishte nxënës i shkollës “Atë Gjon Karma” në njësinë Guri i Zi. Menjëherë familjarët janë munduar t’i japin ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur, pasi ky fëmijë kishte humbur jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga hetimet paraprake rezulton se 10-vjeçari me inicialet N.Y ka dashur të bëjë një video në Tik Tok sikur po vetëvritej, por mjeti ku ai kishte hipur ka lëvizur dhe në këtë mënyrë ka mbetur i varur në pamundësi për të gjetur një rrugë shpëtimi.

Forcat e policisë vijojnë hetimet për të nxjerrë shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila shokoi banorët e Gurit të Zi, por edhe më gjerë. Burime nga shkolla ku ai bënte mësim bëjnë të ditur se 10-vjeçari nuk ka qenë një fëmijë problematik, përkundrazi është cilësuar si një fëmijë i zgjuar dhe me shkathtësi, por edhe një nxënës i mirë në mësime. Të shokuar kanë mbetur edhe mësuesit e shkollës, si dhe nxënësit e tjerë, të cilët kanë mësuar fatin e keq të bashkëmoshatarit të tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb