TIRANE – Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Xhani De Biazi ka dhënë një intervistë për të gjithë tifozët e Kombëtares kuqezi. Këtë e ka bërë nëpërmjet sajtit zyrtar të “TKZ” ku i është përgjigjur pyetjeve të tyre. Tekniku italian ka rrëfyer momentet e para si trajner i Shqiptarëve. Ai deklaroi se nuk është penduar aspak për vendimin që ka marrë duke drejtuar këtë përfaqësuese por tregon se ndjehet i lumtur kur sheh që këta futbollistë japin maksimumin për fanellën e vendit të tyre. Në fund, De Biazi shpreh edhe një dëshirë duke deklaruar se dëshiron një pasaportë Shqiptare pasi sipas tij, 3 vjet në Shqipëri e kanë bërë atë të ndjehet si një dhëndër në vendin tonë.
A është dashur shumë kohë për t’u bindur që të pranonin ofertën për drejtimin e Shqipërisë?
Le të themi që ishte një eksperiencë që doja te bëja ajo e trajnerit të një kombëtareje, dhe mundësia e Federatës, më zuri pak në befasi. Në fillim mbeta pak i pasigurt se ç’duhej të bëja, por pastaj u hodha në këtë “aventurë” të re me një entuziazëm të madh.
Ka pasur momente që jeni penduar për këtë zgjidhje, dhe cili ishte momenti që iu bëri krenar për këtë zgjidhje?
Deri më sot nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen time, edhe pse në verën e 2013 kam patur një ofertë nga një klub i madh europian… Po luftonim për botërorin e Brazilit dhe kisha marr përsipër një detyrë që doja ta dërgoja në përfundimin e saj natyral. Krenar ndihem kur “djemtë” japin gjithçka që kanë në fushë, pa u kursyer, e duke kushtuar lidhjet e tyre dhe tifozëve tanë. Më duhet të them që në periudhën e fundit kemi dhënë kënaqësi të mëdha me fitoren në Portugali dhe barazimet me Danimarkën e Francën, por edhe me Italinë kemi bërë një figurë mjaft të mirë si në fushë ashtu edhe në tribuna.
Tifozët shqiptarë ishin më të shumtë në numër në ndeshjen kundër patriotëve tu në Xhenova, u ndjetë xheloz ?
Në Xhenova kemi treguar se për çfarë jemi te afte me një tifozeri fantastike, dhe ajo çfarë më ka gëzuar më shumë është këndimi i te dy himneve nga tifozeria jonë. Kemi luajtur në shtëpi. Shumë bukur.
A e ëndërroni Shqipërinë në botëror dhe një stadium i mbushur me tifozë shqiptarë?
Besoj se në rast se arrijmë të kualifikohemi për kampionatin europian, Shqipëria do ishte kombëtarja me më së shumti tifozë në Francë.
Sa iu ndërhyjnë shqiptarët në punën tuaj?
Le të themi që në punën time nuk kam ndërhyrje, e mund të zgjedh lirshëm si mund te bëj për të zgjedhur lojtarët që mund të jenë të vlefshëm për projektin tonë.
A dini ndonjë thirrje të tifozëve kuq e zi që e bëjnë në stadium?
Po,tashmë besoj se kuptoj, mbase jo fjalë për fjalë, por sensin e sloganeve që ju këndoni në stadiume. “O sa mirë me qenë shqiptar!” pastaj, “Shqipëri Etnike!” E ajo që mbase më pëlqen më shumë është : “Xhamadani vija vija është Kosova është Shqiperia”.
Cila ka qenë ndeshja para të cilës nuk keni mundur te flini gjumë i qetë?
Fle gjithmonë pak në ditë të qeta, para çdo lloj ndeshjeje fle pak e ri e mendoj gjithçka që kemi studiuar gjithashtu mendoj për atë që duhet të bëjmë të nesërmen.
Kush është urimi me i mirë që keni marrë pas një ndeshje?
Për mua gjëja më e bukur është të shoh skuadrën që hidhet kah këndi i tifozerisë tonë, sepse e di sa shumë përzemër e kanë të dy palët realizimin e një ëndrre.
Mesazhi yt për lojtarët dhe tifozët në prag të ndeshjeve kualifikuese?
Duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë, të fluturosh me fantazinë mund të jetë e rrezikshme. Por nëse të gjithë bashkë (lojtarë e tifozë) do jemi të përqëndruar e do duam me të gjithë forcat tona një rezultat pozitiv, në fund mund ta arrijmë. E mund të jetë fitorja e forcës së vullnetit.
Për fund, mund të na e zbuloni një dëshirë tuajen…
Ah…e di çfarë do më pëlqente? Që miku im Kryeministër të më jepte “nënshtësinë shqiptare”. Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare… Kombëtaren kuq e zi, ka 3 vite e pak.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: