Prestige ishte një nga skuadrat debutuese në sezonin e fundit në Kategorinë e Tretë dhe me pak fat kryeqytetasit mund të kishin shkruar edhe historinë duke u ngjitur në të Dytën. Prestige e mbylli sezonin me 2 pikë larg Basanias që u ngjit direkt.
Në përfundim të sezonit trajneri i Prestige, Mandrit Dulo, për “Panorama Sport” u shpreh: “Që në fillim objektivat i kishim të qarta, ngjitjen në të Dytën. Kemi punuar me përkushtim dhe me shumë dëshirë për ta arritur objektivin, por gjërat në fazën e dytë nuk na shkuan edhe aq mirë. Në futboll ka edhe të papritura, por mbi të gjitha do edhe fat. Në ndeshjet e fundit, përveç fitoreve tona vareshim edhe nga rezultati i ekipeve të tjera.
Kështu që nuk mundëm dot të kapim vendin e dytë dhe të shkonim në fazën “play off”. Dua të falënderoj çunat për atë që kanë dhënë në fushë në ndeshjet e fazës së parë, por edhe ata që ma shpërblyen besimin me fitore në sfidat e fazës së dytë. Normalisht nuk mund të lë pa përmendur dhe falënderuar edhe atë, i cili ishte iniciatori dhe mbështetësi kryesor, presidentin Fatmir Hysenbelliu”.