Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova dha mendimin e tij para ndeshjes së kampionatit ndaj Partizanit.
Forma e ekipit?
Kemi kaluar një javë shumë të mirë. Vijmë pas dy fitoreve si në Ballsh dhe me Elbasanin. Skuadra gëzon një formë të mirë dhe jemi gati për ndeshjen.
Do të keni rotacione?
Duke filluar që nga ndeshja me Elbasanin, kishim tri mungesa. Ishte një njëfarë rotacioni, përtej kartonëve dhe gjendjes jo të mirë të Xhemajlit. Ato janë kthyer dhe besoj se formacioni është i plotë. Do shikojmë me kujdes gjendjen e Malotës, që doli i dëmtuar nga ndeshja e fundit. Do vendosim sot për gjithçka.
Mungesat?
Nuk ka pezullime. Është vetëm pjesa e Malotës që do e shohim sot dhe do të vendosim.
Si e shihni transfertën me Partizanin?
Është një fushë e vështirë sepse terreni është sintetik. Këto fusha tashmë nuk kanë tabu sepse me këto terrene po stërvitemi.
Përballje direkte për kreun?
Do të jetë ndeshje e bukur, luan vendi i parë me të dytë. Sigurisht që janë dy pikë, do mundohemi për revansh. Do shikojmë që të kemi një ndeshje të kujdesshme.
Diferenca?
Grupi do ta bëjë diferencën, ai që do gabojë më pak besoj do të dalë nga fusha e lojës me kokën lart.
Parashikimi juaj mbi titullin?
Shumë shpejt, akoma nuk jemi në gjysmën e kampionatit. Mendoj ato skuadra drejt katërshes kanë marrë rrugë, megjithatë asgjë nuk është e vulosur. Ka dhe skuadra të tjera që do të rivalizojnë, kështu do të presim fundin.
Merkato e klubit të Egnatias?
Me skuadrën kundërshtare nuk jam marrë, informacionin e kam shumë të pakët. Te skuadra ime grupi po hyn në rrjedhën e lojës sime. Mendoj se nuk do të ketë largime, për faktin se lojtarët janë në kontratë, megjithatë do të presim janarin për të dhënë një formacion më të saktë.
Hakmarrje ndaj Partizanit?
Është nëntë ndeshje larg, është ndeshje e kaluar. Tani ekipi ka tjetër fytyrë, megjithatë do të kërkojmë maksimumin nesër.
Inferiorë në ndeshjet direkte me Partizanin?
Inferiorë jo, të mobilizuar ndoshta më shumë. Ky do të jetë fokusi ndoshta kryesor.