Franko Lerda është i kënaqur me paraqitjen e Partizanit në përballjen e sotme kundër Karabagut. Në debutimin e tij në krye të stolit të kuq, Lerda thotë se Karabagu kontrolloi lojën, por skuadra e kuqe krijoi mundësitë e saj të shënimit dhe për italianin, me pak fat, kjo ndeshje mund të ishte fituar.


“Jam i kënaqur. Djemtë kanë interpretuar mirë ndeshjen. Kemi krijuar rastet tona ndaj një skuadre shumë të ftohte. Kemi bërë ndeshjen që kemi përgatitur. Me pak më shumë fat mund të kishim i fituar. E kishim përgatitur ndeshjen ashtu siç e interpretuan djemtë. Kanë qenë shumë të zotë. Edhe Braun edhe Broja kanë luajtur mirë. Kanë hyrë me qasjen e duhur dhe na kanë ndihmuar. Ata goditën një traversë në pozicion jashtë loje. Ne goditëm një traversë me Belicën. Patëm edhe 2 raste me Cinarin. Ata e mbajtën më shumë topin, por rastet më të mira i kishim ne. Me pak fat mund të fitonim. Do të shpresojmë te një rezultat pozitiv në Baku. Si skuadër duhet të kemi parasysh se kundër kujt luajmë. Në të gjitha gjërat gjithnjë mund të bëhet më mirë edhe në futboll”, u shpreh Lerda.


(Balkanweb)