Trajneri Edy Reja kërkon nga Kombëtarja shqiptare më shumë përqendrim në ndeshjen miqësore me Republikën Çeke. Kjo për faktin se kundërshtari luan ndryshe nga Uellsi.
Përqendrimi – “Gjithmonë duhet të jemi vigjilentë. Pas një ndeshje të lodhshme me Uellsin, duhet të bëja vlerësimet e mia. Ishte një ndeshje impenjative. Do të pres deri nesër në mëngjes për të marrë një vlerësim për lojtarët. Më pas do të marrë një vendim.
Çekia është një nivel me Uellsin si kundërshtar. Kanë lojtarë të shpejtë që luajnë shumë mirë me kundërsulm, luajnë mirë me topat e gjatë, nuk humbasin kohë. Shfrytëzojnë mirë hapësirat dhe të vendosin në vështirësi në çdo moment.
Ne presim që të shfaqim përmirësime në këtë ndeshje veçanërisht në fazën sulmuese. Duhet të jemi më të zotë në kundërsulme. Mbrojtja është repart i konsoliduar dhe ka bërë shumë mirë.
Me Çekinë duhet të përmirësohemi në sulm që të tregojmë që kemi bërë hapa përpara. Duhet të krijojmë sa më shumë raste. Unë jam i bindur që ne do të përmirësohemi dhe kjo do të nisë që nga kjo ndeshje.”
Humbja e Çekisë – “Ndeshja miqësore nuk është njësoj si ajo zyrtare. Skuadrat bëjnë fazën kolauduese fizike. Fokusi dhe përqendrimi i skuadrave nuk është njësoj. Çekia është një kundërshtar i fortë, me lojtarë shumë të mirë.
Por duhet të pranojmë që Italia është një nga ekipet më të forta të momentit, një nga kandidatet për të fituar Europianin bashkë me Francën dhe Anglinë. Uellsi dhe Çekia janë 2 skuadra që mund të jenë surprizë në Europian dhe mendoj që duhen respektuar.
Formacioni – “Do ketë ndryshime. Do shikoj në moment të fundit, formën e Seferit dhe Cikalleshit do t’i marrë në konsideratë. Do të bëj analizat e mia dhe do të vendos për lojtarët që do të zgjedhë. Edhe në mesfushë do të ketë ndryshime.
Do të flasë me lojtarët si ndihen dhe do të marrë vendim. Edhe në pjesën e dytë do të ketë ndryshime dhe do të përpiqem t’i aktivizoj të gjithë lojtarët. Luajmë me një ekip të fortë si Çekia dhe besoj se ata do të luajnë me lojtarët që janë më në formë dhe kanë shumë eksperiencë.”
(BalkanWeb)