Takimi i “Play-off” për Kupat e Europës në “Super League-n” e Greqisë mes Panathinaikos dhe PAOK e luajtur mbrëmë është ndërprerë për shkak të goditjes së trajnerit të miqve Vladimir Iviç i cili u shtri në fushë i gjakosur, raporton “Daily Mail”.

Në këtë takim nga minuta e parë startoi edhe mesfushori shqiptar Ergys Kaçe, por me fillimin e pjesës së dytë ai i la vendin holandezit Diego Biseswar, pak minuta para se sfida të merrte rrjedha që nuk kanë të bëjnë me fushën e lojës.

Situata e tensionuar nisi në minutën e 20-të pasi Panathinaikos kishte kaluar në avantazh. Futbollisti vendas Vlakodimos u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa të njëjtin rrugë ndoqi edhe Uarda për miqtë.


Në minutën e 54-t, ndeshja u ndërpre, pasi trajneri Iviç u shtri në tokë, i gjakosur në kokë. Ai ishte goditur me një shishe nga tribuna ku gjendeshin tifozët e Panathinaikos, dhe ky incident i rëndë detyroi gjyqtarin që të ndërpriste ndeshjen.

Me këtë veprim nga ana e tifozëve është e pashmangshme humbja në tavolinë 0-3, por Panathinaikos rrezikon shumë pasi ndeshjet e mbetura me gjasë do t’i luaj pa praninë e mbështetësve. Kjo mund të ndikojë edhe në ecurinë e klubit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: