Gjykata e Beratit ka pezulluar nga detyra Drejtorin e Burgut të Beratit, Hiqmet Këlliçi. Ditën e enjte, Gjykata e Beratit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Berat për marrjen e masën ndaluese ndaj Këlliçit, të parashikuar nga Neni 242 i Kodit të Procedurës Penale dhe në një seancë të zhvilluar në dhomat e këshillimit ka urdhëruar pezullimin e ushtrimit të detyrës së tij si drejtori i IEPV Berat, deri në përfundimin e procesit gjyqësor në ngarkim të tij.
Hiqmet Këlliçi akuzohet për “Kryerje të Veprimeve Arbitrare” ndaj një të burgosuri që vuante dënimin në IEPV Berat, vepër penale që parashikohet nga Neni 250 i Kodit të Procedurës Penale.
Kallëzimi penal ndaj Këlliçit është bërë nga avokati i të burgosurit në 16 Janar 2020. Në kallëzimin penal thuhet se, Këlliçi e ka izoluar të burgosurin Krios Vangjeli nga 13-20 Janar 2020 dhe e ka mbajtur në dhomën e izolimit me pranga, duke e lënë edhe më tej afateve që e lejon ligji.
Në kallëzimin penal ndaj Hiqmet Këlliçit, ndër të tjera thuhet se me urdhër të drejtorit punonjësit e burgut e kanë trajtuar këtë të burgosur në mënyrë çnjerëzore. I burgosuri Krios Vangjeli mësohet se është transferuar me urdhër të Këlliçit në fillim të këtij muaji në Repartin e Posaçëm të Burgut të Fierit. Këlliçi e ka apeluar masën ndaluese në Gjykatën e Apelit Vlorë, ndërkohë që e ka lënë detyrën dhe është larguar prej ambienteve të Burgut të Beratit pasditen e së enjtes, menjëherë pasi Gjykata e Beratit urdhëroi pezullimin e tij nga detyra.
Në ngarkim të drejtorit të IEPV Berat janë të regjistruara deri më tani në Prokurorinë e Rrethit të Beratit edhe 3 kallëzime të tjera penale për “shpërdorim detyre”. Dy kallëzime penale janë bërë nga SHÇKB e Burgjeve që e akuzon se favorizonte të dënuarit për “liri me kusht” në këmbim të ryshfeteve dhe një tjetër kallëzim penal për “Shpërdorim Detyre” është bërë nga disa avokatë të Beratit, që e akuzojnë se ka shkelur të drejtat e avokatëve, duke mos i lejuar për takimet me të paraburgosurit e mbrojtur prej tyre.
I burgosuri Krios Vangjeli është një emër i njohur për policinë e Beratit. Ai është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale si: vjedhje e përdorim e tregtim të lëndëve narkotike dhe pas dënimeve të kryera ka dalë i lirë. Një vit më parë ai u akuzua dhe dënua për “plagosje me dashje të mbetur në tentativë” ndaj një shtetasi, ngjarje që ndodhi në bulevardin e qytetit. Krios Vangjeli, pas një zënke të momentit në një nga lokalet e qytetit, mori një armë kallashnikov dhe e ka ndjekur personin që u konfliktua duke e qëlluar dy herë por pa e kapur dot.