NGA AURORA KOROMANI*

TIRANE- Prej dy javësh ka nisur verifikimi i të gjitha ankesave që kanë mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për urdhrat që mbajnë firmën e ish-drejtorit Artan Didi. Burime policore sqarojnë për “GSH”, se për të bërë këtë proces është ngritur një komision i posaçëm, në përbërje të të cilit janë katër persona, të cilët çdo javë do të bëjnë verifikimin e të gjitha ankesave, për lirimin dhe transferimin e padrejtë të efektivëve të policisë para se në krye të Policisë së Shtetit të emërohej Haki Çako.
KoOMISIONI
Burime konfidenciale për “GSH”, sqaruan se kryetari i komisionit të ngritur që nga e premtja e javës së kaluar, që do të merret me verifikimin e urdhrave që mbajnë firmën e Didit, do të jetë Ylli Imeri, i cili mban postin si shef i prapavijës në Policinë e Shtetit. Përveç tij, në përbërje komisioni do të ketë edhe tre anëtarë; një nga Drejtoria e Standarteve dhe dy të tjerët do të jenë: ish-drejtori i Kuadrit në Policinë e Shtetit, Sofokli Duka dhe drejtori i Forcave Lëvizëse Operacionale, Niko Brahimaj. Mësohet se kjo do të jetë përbërja e komisionit të posaçëm, i cili ka nisur punën për verifikimin e urdhrave të lirimit apo transferimit të efektivëve të ish-kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi, urdhra që do të rishikohen për të parë nëse ka shkelje ligjore brenda tyre apo jo. Por, pjesë e rishikimit do të jenë edhe emërimet që ish-kryepolici ka bërë para se të dorëhiqej nga policia. Kjo, pasi kanë qenë të shumta ankesat që kanë mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për këta urdhra. Madje, burime pranë policisë sqarojnë se kanë qenë të shumtë edhe efektivët të cilët, pas emërimit të Haki Çakos në krye të uniformave blu, kanë kërkuar që urdhrat e lirimit apo transferimit të tyre të revokohen. Shumë efektivë që kanë pasur ankesa, i kanë paraqitur ato te kreu aktual i policisë dhe mësohet se Çako u ka premtuar se do të rishikohen të gjithë urdhrat e tyre dhe, në rast se janë bërë shkelje, atëherë do të ketë edhe revokim të urdhrit. Burime pranë strukturave të Rendit sqarojnë se, fillimisht do të rishikohen urdhrat dhe ankesat që ish-kryepolici, Artan Didi, ka nënshkruar për transferimin apo lirimin e efektivëve pas datës 1 mars të këtij viti. Kjo, pasi që nga kjo datë ka hyrë në fuqi ligji i ri i Policisë së Shtetit dhe të gjitha emërimet apo transferimet duhet të bëhen duke zbatuar këtë ligj. Por, të drejtën e rishikimit të urdhrave të lirimit apo transferimit të tyre e kanë edhe efektivët, të cilët i kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës me strukturat e policisë brenda dy viteve të fundit.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb