Vllaznia po kalon një formë shumë pozitive këtë periudhë. Në fazën e dytë ka grumbulluar 7 pikë në 3 ndeshjet e para, duke qenë kështu ekipi që kryeson Superioren, së bashku me Partizanin në kuotën e 21 pikëve, por me avantazhin e ndeshjeve direkte ndaj të kuqve.
Megjithatë, edhe shkodranët kanë një pikë të “dobët” dhe ato janë ndeshjet në transfertë. Kuqeblutë kanë pësuar 3 humbje pas 12 javësh kampionat dhe të gjitha kanë ardhur larg “Loro Boriçit”. Humbja e parë erdhi ndaj Skënderbeut në javën e 3-të të sezonit, kur u mposhtën me rezultatin 1-0 në Korçë. Një humbje tjetër është shënuar në javën e 7-të për shkodranët, ku përballë Dinamos humbën me rezultatin 2- 1, me ndeshjen, që zhvillohej në Elbasan.
Disfata e fundit për ekipin e Brdariç ka ardhur në javën e 9-të të këtij kampionati. Sërish ka qenë një ndeshje në transfertë dhe kësaj radhe ndaj Laçit. Kuqeblutë, pavarësisht se ishin në avantazh fillimisht, u përmbysën në fund nga kurbinasit për shifrat përfundimtare 3-1 në favor të bardhezinjve.
Patjetër, ky është një fakt që duhet rregulluar në kampin kuqeblu, ku duket se skuadra “vuan” në transferta dhe shfaqet “e brishtë” përballë kundërshtarëve, pavarësisht se skuadra momentalisht kryeson dhe po kalon një formë shumë pozitive.