TIRANË- Policia ka vënë në pranga 3 të rinj të cilët akuzohen për “Mashtrimi kompjuterik, pasi kanë tentuar të përvetësojnë 139 mijë euro, duke i transferuar nga llogaria e një kompanie fluturimesh në Belgjikë në llogaritë e tyre.

Strukturat e Sektorit për Krimet Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme  të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë finalizuar operacionin policor “AIR-MONEY”, me arrestimin e shtetasve:

Fabian Kuqi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë,

Marsen Vathi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë,

Elvi Memaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Arrestimi i tyre është bërë në vijim të hetimeve proaktive 2 mujore, të kryera  nga punonjësit e Sektorit për Krimet Kompjuterike, në funksion të procedimit penal nr. 620 viti 2015, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për arsye se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të përftojnë në mënyrë të paligjshme transfertat bankare përkatësisht në shumat prej 100.000 Euro dhe 39.000 Euro, nëpërmjet kartave të tyre bankare të lëshuara nga dy banka të nivelit të dytë në Shqipëri.

Transfertat bankare të paautorizuara janë kryer në si pasojë e ndërhyrjeve kompjuterike të paligjshme në sistemin kompjuterik të pagesave elektronike të kompanisë më të madhe të fluturimeve në Belgjikë “B.A.”, duke dërguar këto fonde si “rikthim pagesash” të cilat nuk ekzistojnë të justifikuara nga të arrestuarit si të rregullta dhe të ligjshme.

Në këtë aktivitet kriminal implikohen dhe persona të tjerë, me banim jashtë Shqipërisë për të cilët Policia e Shtetit dhe Prokuroria, do të bashkëpunojë me autoritetet homologe të vendeve përkatëse, për vënien para përgjegjësisë penale të të gjithë pjesëtarëve të grupit kriminal.

Gjatë arrestimit dhe kryerjes së veprimeve procedurale, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale sendet e mëposhtme, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale:

3 Laptop

1 desktop

5 aparate telefonik iPhone

4 aparate telefonik të tjerë

8 karta bankare

1 kartë plastike me shirit magnetik

1 kartë SIM belge

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 143/b dhe 287 të Kodit Penal.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb