Blloku i banimit në hyrje të Tiranës, që njihet ndryshe si “lagjja e Treshit”, po merr formë të re. Në inspektimin për rehabilitimin e zonës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se pas përfundimit të punëve në qendër të kryeqytetit, ka ardhur koha që edhe cepi më fundor i Tiranës të ketë të njëjtat investime.

“Fakti që jemi duke punuar në të gjithë Tiranën, nga lagjja e fundit e “Freskut” te lagjja e fundit e “Treshit”, në lagjen e fundit të “Kombinatit” dhe lagjet periferike të zonave rurale, do të thotë se jemi shtrirë cep më cep. Kemi mbaruar me punimet kryesore në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, po ashtu me rrugët në qendër të Tiranës dhe në unazë. Lagjet ku po investojmë më shumë tani janë lagjet, të cilat janë kryesisht në zonat kufitare ose zonat e ish-komunave. Prandaj, i gjithë fokusi ka qenë te “Fresku”, te lagjja “Rilindja”, te Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik dhe Kopshti Zoologjik. Më vjen vërtet mirë që kemi mbërritur në cepin më fundor të Tiranës. Banorët kanë qenë të duruar, por edhe mirëkuptues për faktin se çdo ditë kanë parë nga një punë konkrete. Jam vërtet shumë mirënjohës për mirëkuptimin e tyre, edhe më në fund nuk do shkelin më në baltë, fëmijët e tyre nuk do torturohen nëpër kangjella dhe nëpër këto rrugicat e sajuara, të moshuarit do kenë ndriçim. Më vjen mirë që edhe ndriçimi LED do ta bëjë të sigurt për një grua, për një zonjë, për një nënë, për një motër që kthehet vonë nga puna”, u shpreh Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri

Ai theksoi se kjo zonë do të prekë edhe urbanizimin me kushtet si në Tiranë, ndërsa kërkoi mobilizim për të përfunduar punën para Vitit të Ri. “Më në fund nuk kemi vetëm legalizim, kemi edhe urbanizim. Tani mund të themi që vërtet jetojmë në Tiranë, ku i kemi të dyja këto, edhe letrat e shtëpisë, edhe kushtet si në Tiranë. Ju jam shumë mirënjohës! Nëse do shfrytëzojmë maksimalisht ditët e festave, që ta kryejmë këtë për Vitin e Ri, kur thonë tironsit ‘që të na gjejë Viti i Ri, me rrugë të reja, me energji të reja’, do ishte e jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Blloku i banimit që i nënshtruar punimeve për rikualifikimin e plotë të saj kufizohet nga rrugët “Mersim Jakupi”, “17 Nëntori”, “Gjergj Mehmeti”, “Spartak Deliu”, “Besnik Hidri”, “Princ Vidi” dhe “Nikolla Ivanaj”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: