Kryeministri Edi Rama, ka porositur Policinë e Shtetit të tregojnë respekt ndaj qytetarëve, duke u ndalur tek kontrollet që kryhen në rrugë ndaj drejtuesve të mjeteve.

Ai u shpreh se minutat që po i “vidhen” qytetarëve duhet të shpërblehen me respekt, teksa u ndal tek përvojat negative si perceptim i publikut, gjë që sipas tij nuk justifikohet me asgjë.

“Nuk mund të mos shpreh konsideratën për progresin e kësaj trupe në dekadën e fundit e të mos theksoj që pavarësisht krahasimeve që nuk kanë krahasim, mjafton të shohësh numrin e vrasjeve, ishte mbi 100 në vit mesatarja, pra ishte një vrasje çdo 3 ditë, ndërsa sot është në numrin më të ulët historik, ende ka shumë të meta për të adresuar dhe masa për të marrë për të transformuar policinë deri në pikën që të jetë anë mes të policive të BE, natyrisht as e para as e fundit por në mesin e artë duke garantuar standarde dhe vazhdimësinë e saj, që sido të zhvillohet politika, policia të mos kthehet më pas.

Një qytetari shqiptar që i ndalohet makina dhe i kërkohen dokumentet i duhet bërë i gjithë respekti sepse po i merren minuta për të bërë punën policia, minuta që i duhen shpërblyer me shumë respekt.

Transparenca dhe llogaridhënia, kyçe për rritjen e besimit te Policia e Shtetit.

E rëndësishme nuk është vetëm lufta me të këqinjtë por edhe shërbimi ndaj të mirëve…

…Përvojë negative, duhet të ndryshojë, një e vërtetë e hidhur. Mirëkuptohet stresi e ngarkesa, edhe lodhja nga probleme shumë serioze me të cilat merreni, por asgjë nuk justifikon sjellje që të prodhojë përvojë negativë e të qytetarit.
Do të ndihmojmë me një instrument të ri, do të kemi një transformim epokal të survejimit me kamera të qyteteve dhe me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit”, tha mes të tjerash ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb