Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një takim pune me drejtues të organizatave të shoqërisë civile, që kanë pjesë të punës së tyre monitorimin e reformës në drejtësi, e të drejtave të njeriut, transparencën, llogaridhënien e mirëqeverisjen.
Metani vërejti rëndësinë që ka një komunikim i tillë jo formal dhe i vazhdueshëm, që nxit vështrime sa kritike aq edhe mbështetëse, për punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke ndarë ide e vlerësuar vendime e procese pune, nga qasja e shoqërisë civile si aktori publik, që ndikon në përmirësimin e proceseve demokratike në vend, duke nxitur transparencën dhe llogaridhënien nga ana e institucioneve publike.
Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), Ardian Dhima nga Instituti për Studime Publike e Ligjore (ISPL), Ina Xhepa nga Qendra për Zhvillim dhe Integrim European (CEDI), Gerti Shella nga Qendra për Çështje të Informimit Publik (INFOÇIP) dhe Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), bashkëbiseduan me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë mbi aspekte të punës së ILD-së dhe cështje të sistemit të drejtësisë, duke përcjellë këndvështrime, por edhe propozime për efikasitetin e punës gjatë vitit të ardhshëm.
Takimet me organizata të shoqërisë civile janë një traditë e punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, materializuar me një marrëveshje bashkëpunimi, nënshkruar me 6 organizata, për të nxitur rritjen e performancës e të kapaciteteve të Zyrës së ILD-së, përmes rritjes së komunikimit dhe zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta.