TIRANË- Debate të shumta ka patur në seancën parlamentarë edhe sa i takon pajisjes se targave të makinave me çip. Replikat kane vijuar mes ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe deputetit të Partisë Demokratike, Helidon Bushati.

Ministri tha se “Të vendosësh çip te targa është si të vendosësh një sistem monitorimi me kamera, por aftësia e një çipi është shumë më e lartë se ajo që lejon kamera. Çipi lexohet në çdo rrethanë. Të gjitha institucionet kanë për detyrë që të analizojnë me seriozitet maksimal çdo kërkesë koncesionare. Bëhet fjalë për një ofertë të pa kërkuar nga Ministria, kërkesë që është çuar për vlerësim në institucionet e tjera shtetërore për vlerësim. Gjykimi juaj duhet të nisë kur ne të pranojmë kërkesën koncesionare. Kjo ofertë e pa kërkuar është sjellë për vlerësim dhe ne e kemi çuar tek institucionet e tjera për vlerësim dhe pastaj do të shprehemi për këtë”, tha ministri.

Por sipas Bushatit, pajisja e targave të makinave me çip sipas deputetit demokrat nuk ekziston ne asnjë vend të Evropës.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto iu përgjigj akuzave të opozitës në seancën plenare të së enjtes, gjatë diskutimit për disa ndryshime të ligjit për “Transportet Rrugore”.

“Është një situatë e tmerrshme në transportin ndërqytetas, ku sot kemi pothuajse dyfishin e linjave që i duhet Shqipërisë, kemi autobuzë që në 80% të tyre janë jashtë çdo lloj standardi. Kemi evazion fiskal dhe nuk kemi komoditet për qytetarët. Kemi mungesë të theksuar të terminaleve dhe çfarë nuk kemi. Krijimi i këtyre shoqërive do të krijojë mundësinë e krijimit të flotave të transportit dhe ky është një kusht dhe predispozitë e rëndësishme e kësaj reforme. Me qëllim të kemi një kalendar për rinovimin e flotës dhe brenda 5-6 viteve, sistemi ynë i transportit të ketë mjete të standardizuara dhe të sigurta që ofrojnë shërbimin që meritojnë qytetarët shqiptarë. Pjesë e rëndësishme është gjithashtu dhe biletimi siç ju thashë më lart ka një evazion shumë tv madh në biletim. Ka një objektivizëm të madh për çështjen e tarifës. Parimi për çmimin e biletës do të jetë tarifimi mbi bazën e kilometrave pra distancës se përshkruar. Këtë do ta kontrollojmë dhe realizojmë nëpërmjet një projekti pilot mbi tre linja, Tiranë-Shkodër, Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Elbasan. Nëpërmjet kësaj jo vetëm do të ketë lehtësi për të kaluar nga një linjë në tjetrën, por dhe pagesa do të jetë në bazë të distancës së realizuar”, tha Haxhinasto.

Haxhinasto ka folur edhe për transportin ndërkombëtarm e kryesisht për linjat drejt Greqisë.

“Së pari për biletat e transportuesve ndërkombëtarë. Para një jave u bë komisioni i përbashkët me Greqinë, që kishte kohë që kërkohej. Është kërkuar nga pala jonë dhe është rënë dakort, që duhet të vazhdojnë formalitetet me ministrinë e Financave, me qëllim që të dyja biletat, qoftë shqiptare qoftë greke të kenë një vlefshmëri, në të dyja anët e kufirit. Besoj se në mbledhjen tjetër ky problem do të zgjidhet. Por ky është një problem i vjetër, jo një problem që lindi sot. Rëndësi ka t’i shërbejnë qytetarëve që përfitojnë nga këto shërbime”, tha ai.

Po ashtu, ministri Haxhinasto u përgjigj edhe në lidhje me projektin e rrugës së Arbrit.

“Ruga e Arbrit është shembulli ekselent sesi nuk mund të bëhet një projekt, që duhet të ishte strategjik. Dhe sigurisht nuk mund të prisni që të jetë faji i kësaj qeverie. Qeveria është angazhuar maksimalisht për tërë këtë projekt. Ne vazhdojmë të paguajmë punimet e filluara prej 5 vitesh”, nënvizoi ai.

Po ashtu, Haxhinasto iu përgjigj akuzave të opozitës në lidhje me kërkesën koncesionare të marrë nga institucioni që ai drejton për targat me çip. Ai ritheksoi se bëhet fjalë për një ofertë të pakërkuar nga Ministria, kërkesë që është çuar për vlerësim në institucionet e tjera shtetërore. Kreu i Transporteve prezantoi avantazhet e targave me çip dhe i kërkoi opozitës që të kursejë kritikat për një koncesion që është ende në vlerësim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb