TIRANË- Nga 1 janari, sistemi i transportit ndërmjet qyteteve do të ndryshojë. Për sistemimin e këtij transporti, që ka qenë jo pak në kaos do të zbatohen rregulla të reja, do të ketë linja të tjera dhe orare në kuadër të reformimit.


Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në zbatim të ligjit nr. 10/2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, publikon Rrjetin e linjave ndërqytetëse, stacionet e qëndrimit dhe oraret për secilën linjë, që do te fillojë të zbatohet në 1 Janar 2017.
Në kuadër te reformës në transportin ndërqytetës, rrjeti i ri i linjave është përcaktuar pasi ka kaluar procedurat e modelimit dhe të konsultimit me përfaqësuesit e bashkive respektive dhe shoqëritë që shërbejnë sot në transportin ndërqytetës. Konsultime që u zhvilluan për 6 muaj.
Po ashtu, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në zbatim të ligjit të mësipërm,
ka hartuar Udhëzimin “Pёr kriteret, rregullat dhe dokumentacioni për lëshimin e licencave dhe certifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve me autobus brenda vendit”. Me udhëzimin e ri, është përcaktuar që gjithsej në gjithë vendin do të operojnë 326 linja ndërqytetëse, nga 588 që ishin më parë.
Në bazë të këtij udhëzimi, për linjat e rregullta ndërqytetëse, licenca/licencat, për çdo bashki, i jepen shoqërisë që e zotëron ose shoqërisë e re të krijuar nga grupimi i operatorëve ekzistues, të cilët kanë qenë të licencuar nga bashkia për një ose më shumë linja ndërqytetëse.
Operatorët e transportit të licencuar prej Bashkive, duhet të përfundojnë procedurat ligjore e financiare të bashkimit në një shoqëri të vetme, për t’u licencuar pa konkurrim, për të operuar në linjat ndërqytetëse të miratuara në rang bashkie.
Referuar numrit më të madh të numrit të linjave ndërqytetëse, përjashtim bën Bashkia e Tiranës, e cila do të ketë katër shoqëri transporti.
Shoqëritë e reja të transportit të krijuara nga bashkimi i atyre ekzistuese, duhet të sjellin dokumentacionin në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, brenda datës 30.09.2016.
Nëse operatoret/shoqëritë ekzistuese të transportit, nuk arrijnë me vullnetin e tyre të lirë të krijojnë shoqërinë e re, do të humbasin të drejtën e licencimit, dhe procesi i përzgjedhjes së shoqërisë që do të operojë në grupin e linjave të bashkisë përkatëse, do të përzgjidhet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet një procesi ankandi të hapur.
Kërkesë e rëndësishme është që bashkitë të përcaktojnë vendndodhjen e terminaleve të autobusëve në zbatim të nenit 21/1 të ligjit nr10, 2016.
E domosdoshme është gjithashtu që shoqëritë që do të licencohen, të rinovojnë 20 % të flotës së tyre të autobusëve gjatë vitit të parë licencës, edhe gjatë 2017.


Kjo reformë e rëndësishme në transportin ndërqytetas do të sjellë cilësi në shërbim dhe më shumë siguri për udhëtarët.


[embeddoc url=”http://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2016/05/Rrjeti-i-Ri-Linjave-Nderqytetase.pdf”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: