Më pak shqiptarë kanë preferuar të udhëtojnë me linjë detare gjate muajit prill 2018 ndërkohe që e njëjta tendencë shfaqet edhe nëse krahasimin e bëjmë për një periudhë 4 mujore gjithmone ne raport me nje vit me pare. Statistikat e transportit të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i pasagjerëve që udhëtuan me linjë detare në Prill 2018 është 58.093 pasagjerë, krahasuar me Prill 2017, ky tregues është ulur 28,0 %. Në katër mujorin e parë 2018, kanë udhëtuar me linjë detare 207.341 pasagjerë, duke u ulur me 17,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sakaq këtë pjesë duket se e ka kompensuar udhëtimi me linja ajrore. “Numri i fluturimeve të kryera, në Prill 2018, është 1.992, duke shënuar një rritje me 12,5 %, ndaj Prill 2017. Në katër mujorin e parë 2018, janë kryer 7.416 fluturime, duke u rritur me 7,9 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në katër mujorin e parë 2018, transporti ajror i pasagjerëve zë 77,6 % të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në katër mujorin e parë 2018 është 772.519 duke u rritur me 10,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në raport.

Transporti i mallrave
INSTAT raportoi se volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin Prill 2018 është 359 mijë ton, duke u ulur 9,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 kurse në katër mujorin e parë 2018, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 1.298 mijë ton, duke u rritur me 5,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Sakaq transporti me hekurudhë është rritur në prill 2018 në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë por si katër mujor 2018 kemi një rënie me 35.6 për qind.

Rritja në transportin e mallrave nga ajri ka qenë modeste me vetëm 4.1 për qind krahasuar me një vit më parë. Në muajin Prill 2018, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 194 ton.

Eksportet/importet e mallrave sipas mënyrës së transportit
Raporti i INSTAT vëren se në Prill 2018, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 79 mld lekë dhe 53,1 % e tyre u transportua me det. Në katër mujorin e parë 2018, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 300 mld lekë dhe 55,0 % e tyre u transportua me det.

“Në Prill 2018, mallrat e eksportuara me det zënë 55,7 %, me rrugë 34,2 % dhe me ajër 0,4 %. Mallrat e eksportuara me rrugë, në Prill 2018, janë rritur me 3,0 % dhe me ajër janë rritur me 62,2 %, krahasuar me Prill 2017.

Në katërmujorin e parë 2018, mallrat e eksportuara me det zënë 60,6 %, me rrugë 32,4 % dhe me ajër 0,5 %. Mallrat e eksportuara me rrugë, në katërmujorin e parë 2018, janë rritur me 14,5 % dhe me ajër janë rritur me 61,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës

Në Prill 2018, mallrat e importuara me det zënë 51,8 %, me rrugë 44,7 % dhe me ajër 2,9 %. Mallrat e importuara me hekurudhë, në Prill 2018, janë ulur me 68,2 % dhe me rrugë janë rritur me 4,6 %, krahasuar me Prill 2017. Në katërmujorin e parë 2018, mallrat e importuara me det zënë 52,2 %, me rrugë 42,2 % dhe me ajër 2,8 %.

Mallrat e importuara me det, në katërmujorin e parë 2018, janë rritur me 13,2 % dhe me hekurudhë janë ulur me 15,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës” thuhet në raportin e INSTAT./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb