Nga: MARIGLEN MERTIRI*

TIRANE – Kalimi i kompetencave për vendosjen e tarifave të transportit qytetas nga Ministria e Transporteve drejt Këshillave Bashkiakë, detyron këta të fundit që në mbledhjen e radhës të marrin një vendim për rritjen ose uljen e tarifave. Por vendimi i Këshillit të Ministrave i marrë më 12 nëntor 2014 dhe i botuar në Fletoren Zyrtare më 26 nëntor detyron këshillat vendorë te caktojnë tarifat e reja jo më shumë se një muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

“Këshilli i ministrave VENDOSI: 1. Shfuqizimin e vendimit nr.637, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit qytetas të udhëtarëve, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar”.Tarifat e miratuara me vendimin nr.637, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, do të vazhdojnë të zbatohen deri në çastin e miratimit të tarifave nga Këshilli Bashkiak përkatës, në përputhje me nenet 10 e 14, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, por jo më shumë se një muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”.

Por deri sot ku ka kaluar më shumë se një muaj nga botimi i këtij vendimi asnjë prej Këshillave Bashkiakë nuk ka reflektuar këtë detyrim i cili buron nga marrja e këtij vendimi në kuadër të decentralizimit të kompetencave. Tarifat e reja pritet të jenë të ndryshme në varësi të standardeve të ofruara për këtë shërbim por edhe gjatësive të linjave dhe iteneraret e ndjekura. Por ajo që mbetet e sigurt është që Këshillat Bashkiakë janë ata që do të vendosin nëse çmimi i biletës së urbanëve do të rritet ose jo.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: