Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 3 taksistë, të cilët akuzohen se transportonin klandestinë afganë.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se Arben Koshi, Gëzim Molla, Idaet Buqa akuzohen se kundrejt pagesës ata transportonin emigrantët, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Arrestimi i tre taksistëve u bë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.

NJOFTIMI I POLICISE
Parandalohet dhe goditet një tjetër tentativë për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Finalizohet operacioni policor i koduar “TAKSISTI”

Operacioni strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër

Arrestohen në flagrancë tre persona për dhënie ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit, të cilët transportonin 12 shtetas nga Afganistani

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin dhe goditjen e tentativës për Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se tre taksitë po transportonin disa shtetas afganë, pas një pune të mirëorganizuar finalizuan operacionin e koduar “TAKSISTI”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. K. 54 vjeç, banues në fshatin Listanaj, Peqin.
G. M. 43 vjeç, banues në fshatin Paskuqan, Tiranë,
I. B. 53 vjeç, banues në lagjen Nr.6 Tiranë,

Arrestimi i tyre u bë pasi në rrugën nacionale Lezhë – Shkodër, në fshatin Melgushë, Vau Dejës, në afërsi të një karburanti, u kapën duke transportuar me tre automjete Taxi, 12 shtetas me shtetësi Afgane, të cilët kishin destinacion Malin e Zi, e më pas vendet e BE.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb