NGA KLODIANA LALA

TIRANE- Pa kaluar as 48 orë nga kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaci, ai i PDIU, Omer Mamo, dhe Mhill Fufi i përjashtuar prej muajsh nga Partia Demokratike, janë paraqitur pranë Institutit të Policisë Shkencore për të lënë shenjat e gishtërinjve dhe profilet e tyre fotografike.

I kontaktuar nga “News 24”, deputeti Fufi tha se e votoi dhe po e zbaton ligjin e dekriminalizimit.

“Po. Vajta dhe i dhashë shenjat e gishtërinjve të martën në orën 19:00. Jam mes deputetëve që e kanë votuar ligjin e Dekriminalizimit dhe po e zbatoj atë. Dua të garantoj se nuk kam asnjë rekord kriminal as në Shqipëri, e as në ndonjë vend të huaj. Jam i hapur për hetime”, tha Fufi.

Socialisti Artan Gaci u shpreh se iu përgjigj kërkesës së Prokurorisë dhe kërkon përgjigje urgjente.

“Iu përgjigja i pari dhe brenda një ore kërkesës së Prokurorisë. Pres përgjigje urgjente. Hajdutët dhe kriminelët nuk më njollosin dot”, tha Gace, duke shtuar se “pasi të flasë Prokuroria do të shprehem unë”.

Deputeti i PDIU, Omer Mamo, nuk pranoi të jepte shpjegime, ndërsa deputeti Aqif Rakipi tha se do ta respektojë organin e akuzës.

“Shenjat e gishtërinjve i kanë. Megjithatë, unë do të paraqitem sipas kërkesës së Prokurorisë. Për gjithçka tjetër mund të them që është show mediatik”, tha Rakipi.

Kërkesa e organit qendror të akuzës për regjistrimin e shenjave të gishtave për pesë deputetë, erdhi në kuadër të hetimeve që po kryen ndaj disa deputetëve të Kuvendit sipas ligjit për dekriminalizimin, pasi dyshohet se kanë fshehur rekordet kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Shenjat e gishtave dhe fotot e tyre, do t’u dërgohen agjencive europiane të zbatimit të ligjit, për krahasim, pasi ka dyshime të forta se janë dënuar penalisht nga autoritetet e huaja.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka çelur hetim për 40 zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës, të cilët dyshohen për falsifikim të formularëve që kanë dorëzuar në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.

Çështjet janë regjistruar gjatë muajit shkurt 2017, me dyshimet se zyrtarët, kanë fshehur rekordet kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Prokuroria bëri me dije se mes të hetuarve është edhe një zyrtar i nivelit të Lartë të Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb