Kryetari i PD, Sali Berisha e konsideron drejtësinë në Shqipëri nën kontrollin politik të mazhorancës. Gjatë një tryeze për Reformën në Drejtësi, Berisha tha se tre drejtuesit kryesorë të opozitës janë marrë nën hetim.
Ai përmendi arrestimin e Ilir Metës duke theksuar se ndaj Presidentit të PL u ushtrua dhunë publikisht dhe burgosjen e Ervin Salianjit, të cilit iu hoq edhe mandati i deputetit.
Sali Berisha: Kjo drejtësi ka krahun e saj politik të pamohueshëm. Krahun politik, i cili në një moment të caktuar, në një vit elektoral, së pari në mënyrë antikushtetuese bën amnistinë e krimit elektoral. Dosjet që ju i dini të gjithë, janë dosje të bazuara në regjistrime zyrtare, konform procedurave ligjore, 100 përqind të vlefshme. Dy dosjet, e Peshkopisë dhe e Durrësit. Por ato, kreu i afërmendshit i hedh në kosh sepse aty del kryeministri në të dy dosjet. Del kryeministri si kapo i krimit elektoral në ato dosje.
Mirëpo nuk ka akt më të rëndë se sa amnistimi i krimit elektoral. Sepse ajo faktikisht përbën licencë për bllokimin e rotacionit të pushtetit.
Përbën licencë për përdorimin e krimit dhe manipulim të vullnetit të zgjedhësve. Së dyti, e thashë edhe më sipër, një drejtësi e cila në vitin elektoral, arreston si persona nën hetim drejtuesit e tre partive kryesore opozitare. Sjellje identike me Zajedin e Tunizisë. Por Zajedi, në dallim me Zajedin e Tiranës, asnjërin prej tyre nuk e dhunoi publikisht në mes të rrugës siç veproi Lukashenko i Tiranës me Ilir Metën.
Apo siç vepruan me marrje mandatesh të Fredi Belerit dhe Ervin Salianjit. Pra, është shndërruar në një armë politike e fuqishme në duart e regjimit.
(BalkanWeb)