Gjatë dy javëve të fundit, në një seri bisedash me zyrtarë të qeverive evropiane, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe OJQ-ve, hasa diçka që nuk e prisja: një zhvendosje të heshtur, por të padiskutueshme, në mënyrën se si Evropa e sheh Shtetet e Bashkuara. Nuk kishte të bënte me Trumpin, Bidenin, apo ndonjë administratë të veçantë. Ajo që përjetova ishte diçka më e thellë.
Ja tre gjërat që mësova.
Së pari, Evropa po fillon të largohet nga Shtetet e Bashkuara. Jo përmes sloganeve, dhe ende jo përmes traktatesh, por në mendësi. Në Bruksel, Berlin dhe Paris po flitet gjithnjë e më hapur për autonomi strategjike dhe sovranitet evropian. Termat që dikur ishin të paqartë, sot janë bërë urgjentë. Konsensusi i pashprehur: amerikanët duan të tërhiqen, dhe Evropa duhet të përgatitet.
Së dyti, ndarja nuk është me Trumpin — por me Shtetet e Bashkuara. Është e lehtë të mendohet se ky është vetëm një reagim ndaj paparashikueshmërisë që karakterizon administratën Trump. Ndoshta pjesërisht, por ky është një thjeshtim i padobishëm. Evropianët me të cilët bisedova shohin ndryshime strukturore në politikën e jashtme amerikane, një lodhje dypartiake—si nga Republikanët ashtu edhe nga Demokratët—nga udhëheqja globale dhe një riorientim afatgjatë të politikës amerikane drejt Azisë.
Së treti, Evropa po vepron nga frika, jo e nxitur nga një vizion frymëzues. Ky është ndoshta mësimi më shqetësues. Lëvizja drejt shkëputjes po udhëhiqet nga një ndjenjë brishtësie —një aleancë ushtarake e pasigurt, zinxhirë furnizimi të ekspozuar, pasiguri energjetike, dhe paqëndrueshmëri politike në SHBA. Por frika nuk është strategji. Evropa e di çfarë dëshiron të shmangë, por ende jo çfarë dëshiron të ndërtojë.
Nga këto biseda dola me admirim për ambicien evropiane — por edhe me një shqetësim të thellë. Nxitimi për të afirmuar pavarësinë nga SHBA është i kuptueshëm, por kërkon kujdes. Evropa nuk mund të përballojë vendime të nxituara të bazuara në frikë apo frustrim. Pse?
Për fillim, vetë Evropa është e brishtë. Shumë shtete anëtare të BE-së po përballen me trazira politike të brendshme, rritje të ekstremizmit dhe mosbesim të thelluar ndaj institucioneve. Normat sociale po dëmtohen. Në disa kryeqytete, qeveritë janë më të përqendruara në mbijetesën për zgjedhjet e radhës sesa në formësimin e dekadës së ardhshme.
Më pas, ngrihet pyetja: kush do ta mbajë barrën e udhëheqjes evropiane? Franca ka ambicie, por mungesë konsensusi të brendshëm. Gjermania ka peshë ekonomike, por pavarësisht lëvizjeve të fundit, ende është pas në aspektin ushtarak. Mbretëria e Bashkuar është jashtë Bashkimit Evropian. Italia është e margjinalizuar nga “treshja e madhe.” Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore po bëhen më të zëshme — por jo të bashkuara. Pa udhëheqje koherente, autonomia strategjike rrezikon të kthehet në konfuzion strategjik.
Për më tepër, autonomia e vërtetë kërkon kohë. Ndërtimi i një pavarësie ekonomike dhe të sigurisë do të kërkojë të paktën 5–10 vjet — nëse ekziston uniteti dhe vullneti politik. Evropa ende varet shumë nga kapacitetet ushtarake të SHBA, infrastruktura teknologjike dhe sistemet financiare. Ky tranzicion duhet të menaxhohet me kujdes, jo me nxitim.
Dhe të mos harrojmë, peizazhi ekonomik global është i zymtë. Rritja ekonomike në Kinë vazhdon të jetë e mefshtë, tregjet në zhvillim janë të brishta, dhe paqëndrueshmëria po rritet në Jugun Global. Pa tregje të forta të jashtme, Evropa do ta ketë të vështirë të ruajë rritjen. Një marrëdhënie tregtare transatlantike e dobësuar do ta përkeqësonte edhe më shumë këtë sfidë.
Së fundi, lidhja SHBA–Evropë është shumë e thellë, për ta hedhur mënjanë kaq shpejt. Për më shumë se shtatëdhjetë vjet, marrëdhënia transatlantike ka qenë themel i sigurisë dhe mirëqenies evropiane. Ekonomitë janë të ndërthurura, sistemet mbrojtëse të ndërlidhura, shoqëritë të afërta. Kjo nuk është një marrëdhënie që mund të “shkëputet” — dhe as nuk duhet.
Po, Evropa duhet të evoluojë. Por në këtë proces, duhet të shmangë ngatërrimin e pavarësisë me izolimin. Autonomia strategjike nuk do të thotë vetmi strategjike.
Një Evropë më e sigurt, më e aftë — mund dhe duhet — të ecë krah për krah me Shtetet e Bashkuara. E ardhmja e Perëndimit varet nga ky partneritet.
Ndërsa vendet e Evropës Juglindore i ndjekin këto ndryshime nga këndvështrimi i tyre — shpesh të kapura në mes të konkurrencës së fuqive të mëdha — duhet të shpresojmë për një Evropë që është e fortë, por jo e vetmuar. Vizionare, por jo reaktive. Ambicioze, por realiste.
Lidhja transatlantike mund të jetë e tendosur, por mbetet jetike. Të mos harrojmë sa shumë kemi ende për të humbur — dhe sa shumë kemi ende për të ndërtuar, së bashku.
*Drejtues i Programit për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel
(BalkanWeb)