Ndërtimi i hidrocentraleve në vendin tonë po shkon përtej çdo hamendësimi. Tashmë radhën e ka lugina e Valbonës.

Në parkun kombëtar, i vlerësuar si mrekullia e Alpeve shqiptare, pritet ndërtimi i tre HEC-eve, pikërisht ai i Valbonës, Dragobisë dhe Çeremit.

Banorët kanë nënshkruar një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama ku kërkojnë ndalimin kësaj masakre që do të dëmtojë turizmin dhe vetë ekosistemin e Parkut Kombëtar.

Mësohet se 3 kontratat koncesionare dhe vendimet për hidrocentralet në Valbonë janë miratuar nga dy qeveritë e fundit: ajo demokrate në gusht të vitit 2013 dhe ajo socialiste në prill të vitit 2014. Madje në dhjetor të vitit 2014, Enti Rregullator i Energjisë, ERE, vendosi nisjen e procedurave për licencimin e aktivitetit të prodhimit të energjisë nga HEC-et “Çeremi” dhe “Dragobia”, ende pa filluar puna për ndërtimin e tyre.

Catherine Bohne, “amerikania e Valbonës”, kjo grua që prej vitesh është dashuruar me alpet shqiptare, nga vendi ku po ndërtohet kanali, që do të devijojë ujërat e Valbonës lëshon një apel për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Ajo thotë se, me ndërtimin e hidrocentraleve dëmtohet turizmi, ekosistemi natyror, por edhe vetë e ardhmja e Parkut Kombëtar. Sipas saj, qeveria shqiptare nuk ka respektuar Konventën Ahrus, të cilën e ka nënshkruar, konventë që parashikon informimin e banorëve.

“Ne kemi punuar bashkë me Ministrinë e Mjedisit për të shkruar dokumentin e zonimit, planin e menaxhimit për të mbrojtur këtë zonë. UNDP ka investuar, ka bërë një projekt shumë të madh për të zhvilluar këtë zonë. Kurse një ministri tjetër ka punuar për ta prishur. Është çmenduri dhe qeveria e Shqipërisë nuk mund të vazhdojë më kështu”, thotë ajo.

Parku Kombëtar i Valbonës ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Peizazhi malor, ujërat e Lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, çfarë e ka kthyer luginën në një nga destinacionet e rëndësishme turistike të vendit tonë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: