NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Durimi i shoferë dhe fatorinove të 3 linjave të urbanit në Tiranë është sosur. Ata nuk kanë pranuar të nisen nga parku i autobusëve të shoqërisë “Alba Trans” në Prush për shkak të pagave që nuk kanë marrë prej gati 3 muajsh. Prej orës 5 të mëngjesit ata bllokuan shërbimin për linjat Qendër-Uzina e Autotraktorit, Qendër- Tufinë dhe Tiranën e Re në shenjë proteste. Duke e rifilluar këtë shërbim pas 2 orësh, në orën 7 të mëngjesit.

Kjo protestë e paparalajmëruar ka rënduar mbi qytetarët të cilët nuk kanë arritur në punë në orar si çdo ditë për shkak të mungesës së urbanëve.

Këto linja prej kohësh kanë shfaqur problematikë në raport me qytetarët pasi disa prej tyre kanë reduktuar numrin e urbanëve në linjë ndërsa disa të tjera nuk respektojnë oraret dhe standardet e vendosura nga bashkia kundrejt udhëtarëve.

3 linja urbani në Tiranë e kanë nisur punën me 2 orë vonesë për shkak të protestës së punonjësve për rrogat e prapambetura. Mbi 150 punonjës nisën të dalin në linja rreth orës 7 të mëngjesit me premtimin se do të marrën pagën por ata paralajmëruan se nëse nuk do të paguhen do të bojkotojnë shërbimin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: