Ka shpresuar Kukësi në përmbysjen e madhe, e ka ushqyer këtë shpresë gjatë javës. E ka ndezur në minutën e 17-të pas golit të Et’hemit, por më pas një tjetër bëmë e Stivi Frashërit, i ka mjaftuar Debrecit që të shënojë, i cili zeronte edhe shansin më të vogël për kualifikimn.

Në “Elbasan Arena” Kukësi luan “jetim”, teksa pak tifozë ishin të pranishëm për të ndihmuar ekipin. Megjithatë kjo nuk i ka penguar të besuarit e Gjokës për të kërkuar startin perfekt. Dhe ashtu do të jetë. Verilindorët e nisin me marshin e pestë, pasi në minutën e 17-të e shohin veten në epërsi. Et’hemi stopon në mënyrë të shkëlqyer brenda zonës, kontrollon dhe thyen Nagin në trekëndësh, duke çuar në qiell entuziasmin te Kukësi. Debreceni kupton se diçka duhet të ndryshojë dhe këtë e vërteton topi i stampuar në traversën e Frashërit tre minuta më pas. Rroca ka dy mundësi. Fillimisht në të 26-ën me topin që del ngjitur me shtyllën dhe 9 minuta më pas, kur gjuan çuditërisht jashtë pas asistit të Ramës.

Në fraksionin e dytë, Kukësi është sërish në kërkim të golit, por hungarezët i kanë marrë masat mirë. Madje do të shënojnë në të 58-ën, pas një aksioni pa pretendime nga e majta, por me gafën e radhës së Stivi Frashërit, Zatmari e gjen portën bosh dhe barazon, duke shuar çdo shpresë te Kukësi. Minutat e fundit të sfidës do ta shohin skuadrën tonë gjithsesi ofensive, pasi triumfi veç moralit, do të ndikonte dhe te koeficienti për sezonin pasardhës, por rezultati nuk ndryshoi dhe takimi u mbyll 1-1, me rezultatin e përgjithshëm pas 180 minutave 4-1 në favor të Debrecenit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb