TIRANE
Festivali letrar “Varg” i organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit ka çelur siparin në Torrën Veneciane në Durrës, e saporestauruar nga Bashkimi Europian.
“Varg Festival mbahet në kuadër të turit veror të Minsitrisë së Kulturës për ta çuar librin pikërisht në ato zona ku ka nevojë për lexim”, tha Alda Bardhyli.
Nisma e Qendrës së Librit vjen në kuadër të një sërë ngjarjesh kulturore që institucionet qendrore të Tiranës po organizojnë nëpër rrethe.
“Të gjitha institucionet tona, kemi Cirkun, Teatrin e Kukullave, Operan, Ansamblin, librin, Teatri kombëtar, Teatri Eksperimental do të jenë herë në ambiente të hapura e herë në të mbyllura që kultura të gjallojë gjatë gjithë sezonit”, tha ministrja Margariti.
Me lexime prej tre shkrimtarëve nga Kosova, Ag Apolloni, Sibel Halimi dhe Arbër Selmani biseda e mbrëmjes ju kushtua temës “Letërsia shqipe apo letërsistë shqipe”, nëse ka një letërsi të përbashkët mes vendeve apo dy, ndikuar nga udhëtimi historik i dy vendeve.
Shkrimtari AG APOLLONI u shpreh: Ne jemi një letersi, jemi një komb i ndarë politikisht në mënyrë të padrejtë. Por kulturalisht nuk kemi pse ta pranojmë këtë ndarje. Nëse hiqet pjesa e Shqipërisë, letërsia e Kosovës është shumë e re dhe jo për tu marrë seriozisht se është shumë e re”.
Pos letërsisë shqipe, ata folën edhe për temat në librat e tyre.
SIBEL HALIMI: Subjekti qendror ka të bëjë me gruan, por më shumë si si koncept i lirisë jo koncept gjinor. Një vajzë që rritet në një shoqëri konservatore e ka shumë të vështirë të qenurit shkrimtare e ka shumë të vështirë, ajo që Virxhinia Ulf thotë, një dhome me vete, gratë e vajzat tona, nuk e kanë.
ARBËR SELMANI: Punë zakonisht në poezitë e mia i kam ndjenjat e mia të thella, edhe poezia ime është poezi e shqetësimit, është poezia e revoltës dhe unë dua që përmes poezive të mia t’i kthej disa debate e t’i thyej disa tabu.
Në katër net, Varg Festival, ka të ftuar poetë e shkrimtarë të qytetit të Durrësit dhe nga qytete të tjera që bëhen pjesë e leximeve dhe bisedave për letërsinë, lirinë, atdheun e më tej.