Në derbin me Tiranën mund të ketë ndonjë risi në formacion dinamovit, më shumë për shkak të mungesave se sa për zgjedhje të trajnerit Ilir Daja, i cili nuk parapëlqen të bëjë shumë lëvizje.

Fundjavën tjetër nuk janë të gatshëm Hoxha në mbrojtje dhe Gudiabi në mesfushë. Në 8 javë kampionati të zhvilluara deri tani, Dinamo, që ka një organikë të pasur, ka aktivizuar 21 lojtarë në total. Prej tyre vetëm tre titullarë i kanë bërë ndeshjet e plota, ndërsa në anën tjetër ka edhe lojtarë që presin ende të debutojnë me fanellën e 18 herë kampionëve të vendit.

TRE “TË PALODHURIT” – Portieri Edmir Sali dhe mbrojtësit Mateo Muzek e Lorran janë të vetmit që kanë zhvilluar 8 ndeshje të plota, duke regjistruar më shumë se 720 minuta, po të kemi parasysh edhe shtesat e gjata. Lojtarë të tjerë të rëndësishëm të formacionit, siç janë Hoxha, Dita dhe Zabërgja e ndonjë tjetër, kanë humbur ndeshje ose minuta për shkak të dëmtimeve. Titullarë të padiskutueshëm te blutë janë edhe sulmuesi Mandela e mbrojtësi Meksi, por ata janë zëvendësuar në këto 8 javë kampionat.

Në të gjitha ndeshjet kanë luajtur edhe Karamba dhe Lorenco Vila, por janë ndërruar gjatë tyre, ose e kanë nisur ndonjërën nga stoli. Bregu humbi ndeshjet e para, pasi nuk kishte bërë fazë përgatitore me skuadrën në verë. E njëjta situatë edhe me Naser Alijin dhe Ardit Tolin. Të dy këta lojtarë janë aktivizuar në disa ndeshje, por ishmbrojtësi i Kombëtares zbriti në fushë si titullar së fundi kundër Laçit, ndërsa mesfushori kishte qenë në formacion edhe kundër Vllaznisë.

MIÇO&CO – Te Dinamo ka edhe disa lojtarë që ende nuk kanë marrë asnjë minutë deri tani. Nëse Rufati luajti në minutat e fundit të ndeshjes me Laçin, duke debutuar me fanellën blu, ende nuk e ka bërë këtë gjë Miço, një tjetër mbrojtës i ardhur në skuadër në fundin e merkatos. Ndoshta ndonjëri prej tyre mund ta shohë veten në fushë nga minuta e parë në derbin me Tiranën. Lojtarë të tjerë që nuk kanë debutuar këtë sezon me kryeqytetasit janë portieri i dytë Aldo Teqja, si dhe të rinjtë Hasanaj e Zhordi. Kampionati është i gjatë dhe ka vend për të gjithë. Është edhe kompeticioni i kupës së Shqipërisë, por Dinamo futet më vonë në këtë aktivitet dhe aty mund të ketë më shumë aktivizim për linjat e dyta.

DËMTIMET – Dëmtimet e kanë shoqëruar skuadrën kryeqytetase që në startin e kampionatit e deri tani. Për këtë arsye kanë mbetur jashtë skuadrës lojtarë si, Klevi Qefalija, Eridon Qardaku dhe Nani. Tashmë të tre këta lojtarë janë në dispozicion të stafit teknik, duke shtuar kështu ndjeshëm alternativat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb