Të paktën tre persona vdiqën dhe një është ende i zhdukur pasi qyteti më i madh i Zelandës së Re u godit nga reshjet rekord dhe përmbytjet , thanë mediat shtetërore.
Autoritetet lokale në rajonin e Auckland shpallën gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme dhe u kërkuan banorëve të qëndrojnë në shtëpi, raportoi Radio Zelanda e Re.
Kryeministri Chris Hipkins gjithashtu mbërriti në qytet pasi kryebashkiaku shpalli një gjendje të jashtëzakonshme shtatë-ditore.
“Kjo është një ngjarje e paprecedentë. Jini të sjellshëm, jini të durueshëm. Ju do ta kaloni këtë,” shkroi Hipkins në Twitter.
“Mendimet e mia janë me të gjithë në Auckland ndërsa zgjohen këtë mëngjes për të vëzhguar dëmin dhe ndërsa përballen me një ditë të pasigurt përpara. Kujdesuni për njëri-tjetrin. Ne do t’ju ofrojmë sa më shumë mbështetje,” shtoi ai.
MetService, shërbimi kombëtar i motit, lëshoi gjithashtu një paralajmërim të kuq për zonën pasi qyteti mori 238 mm shi të premten.
Autoritetet kanë ngritur gjithashtu qendra akomodimi emergjente në vende të ndryshme, pasi qindra njerëz janë zhvendosur në vende të sigurta.
Shiu dhe përmbytjet shkaktuan gjithashtu mbylljen e autostradave, ndërsa qindra njerëz mbetën të bllokuar në aeroportin e Auckland pasi të gjitha fluturimet u anuluan për shkak të përmbytjeve që hynë në disa zona të terminalit.
“Shumë rrugë janë të mbyllura në rajon për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve, duke e bërë jashtëzakonisht të rrezikshme të qenit në rrugë,” tha policia e Zelandës së Re në një deklaratë.
“Aeroporti pritet të qëndrojë i mbyllur të paktën deri në mesditë”, shtoi ai.