Tre të vdekur për tre drurë gardhi. Ky ishte bilanci tragjik i një sherri mes vëllezërish, që pasoi me 3 viktima. Sali Dakuci, i vëllai Kujtimi dhe djali i këtij të fundit, Flogerti, do të përcillen sot për në banesën e fundit. Ndonëse banesat e dy vëllezërve janë shumë pak metra nga njëra-tjetra, vdekja e kryefamiljarëve ka nxehur më shumë ‘gjakrat’ duke bërë që ceremonitë mortore të mbahen në vende të ndryshme.

Gazetari Enver Doçi raporton për ‘BalkanWeb’ se bashkëshortja e Kujtim Dakucit ka vendosur që burri dhe djali i saj i vetëm të prehen në varrezat në Tiranë, ku jetojnë aktualisht prindërit e saj, për të shmangur kështu edhe ndonjë konflikt me familjen tjetër. Ndërkohë, autori i krimit, Sali Dakuci, do të prehet në Xibër, ku ceremonisë mortore do i bashkohet edhe djali i tij i vetëm, që jeton si emigrant në Itali. Aktualisht, dy banesat ku ndodhi masakra ruhen nga forca të shumta policie.

Si ndodhi sherri
Gazetari Enver Doçi teksa sjell për “BalkanWeb” detaje të reja për ngjarjen, raportoi se sherri mes dy vëllezërve ishte i hershëm. Konflikti, që vijonte prej 6 vitesh, kishte si mollë sherri gardhin që ndante dy familjet, ndërsa Sali Dakuci (autori) pretendonte se i takonte 20 cm tokë më shumë. Ndërkohë, banorët treguan se të shtënat e armëve iu ishin dukur si kapsolle. “Nuk menduam se ishin të shtëna me armë. Menduam se plasi ndonjë kapsolle. U shokuam nga ngjarja, ishte shumë e rëndë”, tha një nga banorët e fshatit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: