Një sulm rus me raketa balistike të mërkurën në qytetin port ukrainas të Odesës, shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, tha guvernatori i rajonit, Oleh Kiper. Ai tha gjithashtu se sulmi shkaktoi dëme në infrastrukturën civile. Është dita e dytë radhas që Odesa bëhet objekt i sulmeve vdekjeprurëse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të mërkurën se mbrojtja e saj ajrore shkatërroi tre dronë ukrainas mbi rajonin e Voronezhit, si dhe dronët që synon të godisnin në Belgorod, Kursk dhe Ryazan. Aleksandr Gusev, guvernatori i Voronezhit, tha se mbetjet e një droni dëmtuan një shtëpi, por nuk pati të lënduar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri përsëri thirrje aleatëve në fjalimin e tij të mbrëmjes që të dërgojnë sa më shpejt ndihma ushtarake në Ukrainë. “Kemi nevojë për një përshpejtim të konsiderueshëm të dërgesave për të forcuar ndjeshëm aftësitë e ushtarëve tanë”, tha Zelenskyy. “Nuk janë bombat ajrore ruse dhe operacionet sulmuese që duhet të mbizotërojnë vijën e frontit, por përpjekjet tona ukrainase – mbrojtja jonë ajrore, artileria jonë, dronët tanë”.

Presidenti tha se Ukraina i ka shpresat tek shpejtësia e dërgimit të ndihmave amerikane. Shtetet e Bashkuara janë zotuar të dërgojnë me shpejtësi paisjet e reja ushtarake në Ukrainë, pasi ligjvënësit miratuan ndihmën e re prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila kishte ngecur prej muajsh./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: