*Specialisti: Tërmeti në Bulqizë, që dje aktiv*
TIRANE- Tre lëkundje të njëpasnjëshme tërmeti janë regjistruar rreth orës 07:30 në kryeqytet, ndërsa janë ndjerë edhe në Shkodër, Laç, Kukës, Pukë dhe Bulqizë.

Mësohet se epiqendra e tërmetit ka qenë 34 km në lindje të Tiranës dhe 14 km në jug të Bulqizës.

Lëkundja e parë sizmike ishte shumë e lehtë, ndërsa e dyta u regjistrua me magnitudë 3.3 e shkallës Rihter. Lëkundja e tretë, me magnitudë 5.0 e shkallës Rihter, shkaktoi panik tek qytetarët.
Momentalisht nuk ka të dhëna për dëme, ndërsa banorët të frikësuar kanë dalë nga banesat e tyre.

Lëkundje tërmeti u ndjenë edhe rreth mesditës së djeshme në Tiranë. Lëkundje që  zgjatën më shumë se 10-13 sekonda. Sipas të dhënave, tërmeti kishte patur magnitudë 4.6 i shkallës Rihter , ndërkohë epiqendra e tërmetit ka qenë 18 km në juglindje të Bulqizës.

SPECIALISTI: TËRMETI NË BULQIZË, QË DJE AKTIV
Përgjegjësi i departamentit të Sizmologjisë, Rexhep Koci deklaroi për “News24” se tërmeti në juglindje të Bulqizës ishte aktiv që ditën e djeshme. Sipas Koçit, juglindja e  Bulqizës karakterizohet nga një aktivitet i shtuar sizmik.

“Zona në juglindje të Bulqizës ka pasur një aktivitet të shtuar dje. Vetë territori i kësaj zone ka ndërtim tektonik shumë të komplikuar. Një nga këto thyerje sot fatkeqësisht është aktivizuar. Ngjarja me magnitutë më të madhe, me magnitutë 5, ishte ajo e orës 07:26. Eksperienca ka treguar që çdo ngjarje sizmike sidomos ato që janë të forta gjithmonë, janë shoqëruar me paragoditje dhe pas goditje. Edhe sot në orën 07:20, janë regjistruar 11 tërmete pasues ose pasgoditje i themi ne. Akoma pritet të ketë pasgoditje. Tërmete në Shqipëri bien çdo ditë sipas studimeve. Tërmetet janë të pritshëm, por sesa do jetë fuqia e tyre këtë ne nuk e parashikojmë dot”.- deklaroi Koçi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: