Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, e ka dënuar me tre vjet burg, zyrtarin policor, Bunjamir Jaha, i akuzuar për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.


Ndërsa, i akuzuari tjetër Pajtim Hamiti, për të njëjtën vepër penale është dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim.


Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Arben Hoti, sipas së cilit, dy të akuzuarve Jaha dhe Hamiti, do t’u llogaritet edhe koha e mbajtur në paraburgim, e cila masë u është ndërprerë sipas këtij aktgjykimi.


Gjykatësi Hoti, ka deklaruar se të akuzuarve do t’u konfiskohet narkotiku, si dhe i ka obliguar ata që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguajnë shumën nga 200 euro, secili veç e veç.

Gjykatësi Hoti, ka thënë se me rastin e shqiptimit të dënimit ka marr parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rëndësuese.

Hoti ka shtuar se ndaj të akuzuarit Hamiti, si rrethanë rënduese ka marrë të kaluarën kriminale, ndërsa për të akuzuarin Jaha, sipas tij, është konstatuar se nuk ka pas të kaluar kriminale.

Po ashtu, gjykatësi Hoti ka deklaruar se me rastin e matjes së dënimit si rrethanë lehtësuese, ka marrë pranimin e fajësisë nga të akuzuarit.

Gjykatësi Hoti, i ka njoftuar të akuzuarit dhe prokurorin, se kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 6 nëntor 2019, i akuzuari Jaha e ka pranuar fajësinë se kishte poseduar dhe shpërndarë substanca narkotike nga Shqipëria për në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po në këtë seancë, fajtor për veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së narkotikëve dhe substancave tjera analoge, ishte deklaruar edhe i akuzuari Pajtim Hamiti, i cili kishte thënë se është i penduar dhe se nuk do të përsërisë më veprën penale për të cilën akuzohet.

Në këtë rast përveç tij, akuzohen edhe Shpejtim, Flamur Hamiti dhe, Bashkim Braha, Shkëlqim Ilazi, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Arburim Ahmeti, të cilët sipas aktakuzës, nga 16 maji deri më 7 tetor 2018, kishin transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis.

Ndërsa, për tetë të akuzuarit e tjerë që kishin pranuar fajësinë pjesërisht dhe ata që ishin deklaruar të pafajshëm, gjykimi do të vazhdojë më 6 dhjetor 2019, nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, më 31 maj 2019, të akuzuarit Bunjamir Jaha, Shpejtim Hamiti, Flamur dhe Pajtim Hamiti, si dhe Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi nga 16 maji e deri me 7 tetor 2018, në Ferizaj, Kaçanik dhe fshatrat të këtyre komunave, kishin transportuar dhe shitur substanca narkotike, të llojit kokainë dhe kanabis.

Këta të akuzuar, sipas PSRK-së, sipas marrëveshjes paraprake, duke i ndarë rolet, ishin furnizuar nga Republika e Shqipërisë, pasi i akuzuari Bunjamir Jaha, ishte ndaluar për kontroll në “Vërmicë”, dhe i është gjetur në automjetin e tij “Audi A4”, kokainë në sasi 549,44+0.0001 gramë.

Ndërsa, në banesën në Ferizaj, të cilën të akuzuarit e kishin marrë me qira nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, në të cilën e kishin shfrytëzuar për të ushtruar veprimtari kriminale, policia kishin sekuestruar kokainë në sasi prej 2+0.0001 gramë, si dhe substanca-preparati kanabis, marihuanë, në sasi 5.54+0.0001 gramë, si dhe peshore dhe aksesorë tjerë, të cilat iu kishin shërbyer për matjen, renditjen, ndarjen dhe sistemimin e këtyre narkotikëve.

Për këto veprime, PSRK të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I akuzuari Bashkim Braha, po akuzohet se nga data e pacaktuar e deri me 7 tetor 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Stogovë” në Komunën e Kaçanikut, në mënyrë të paautorizuar kishte mbajtur në posedim armën “Zastava M-57”, e kalibrit 7.62 mm. Me një karikatorë dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62, një revole e kalibrit 6.32 mm me një karikatorë dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm si dhe 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12mm.

PSRK të akuzuarin Braha po e ngarkon me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I akuzuari Arburim Ahmeti po akuzohet se me 29 shtator 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Greme”, në Ferizaj, kishte pranuar nga i akuzuari Shpejtim Hamiti narkotikë në peshë 7.6 gram, të cilën e kishte vendosur në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e shahut ta dërgojë në qendrën korrektuese në Dubravë, tek Meriton Aliu i cili kishte qenë në vuajtje të dënimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo sasi e fshehur në figura së bashku me tabelën e shahut, ishin sekuestruar në banesën e të akuzuarit Shpejtim Hamiti, ku pas ekzaminimit kishte rezultuar 5.54+0.0001 gramë substancë/preparat narkotik kanabis (marihuanë).

Edhe të akuzuarin Arburim Ahmeti, PSRK po e ngarkon me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shpejtim Hamiti nga 18 tetor 2016, e deri me 29 qershor 2018, kishte bartur te xhirollogaria e të akuzuarit Ardonit Mustafa, 36,875.00 euro, për të cilat të ardhura nuk kishte prova se ishin nga një aktivitet i rregullt ekonomik.

Ai në marrëveshje me të akuzuarin Shkumbin Berisha kishte bartur të xhirollogaria e tij në Bankën Ekonomike 7,000 euro, për të cilat nuk kishte pasur prova të fitimit në mënyrë ligjore, pasuri e fituar nëpërmjet veprimtarisë së kundërligjshme të trafikimit me narkotikë dhe shndërrimin e një pjese të të ardhurave në automjete.

Kështu, sipas PSRK-së i akuzuari Shpejtim Hamiti përmes të akuzuarve të tjerë kishte përdorur të ardhurat nga aktivitete e dyshuara, ku nga veprimtaria e trafikimit të narkotikëve kishte përfituar 75.500 euro, si dhe kishte përfituar edhe dy BMË, ku njëra veturë ishte qenë e regjistruar në emër të të akuzuarit Shkumbin Berisha.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shkumbin Berisha kishte pranuar 7.000 euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, para të cilat dyshohen se ishin fituar nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë të të akuzuarit Shpejtim Hamiti, automjetin BMË me vit prodhimi 2008 e kishte doganuar dhe regjistruar në emër të tij.

Shumën prej 36,875.00 euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, sipas PSRK-së, e kishte pranuar edhe i akuzuari Ardonit Mustafa.

I akuzuari Bashkim Braha sipas aktakuzës, nga 12 shtatori 2016, kishte në pronësi automjetin “IMT 539”, me vit të prodhimit 2009, si dhe nga 12 shtatori 2017 kishte në përdorim automjetin “Audi A4”, vit i prodhimit 2008, e regjistruar në emër të motrës së tij, ku sipas prokurorisë kishte prova se të njëjtat ishin blerë nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë.

PSRK, të akuzuarit Shpejtim Hamiti, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Bashkim Braha po i ngarkon me veprën penale “shpëlarje e parasë”. /BetimipërDrejtësi/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb