NGA: ORNELA MANJANI
Tregtarët e gazit me shumicë e pakicë du het të deklarojnë gjendjen e mallit stok brenda datës 9 janar, në rast të kundër do të përballen me bllokimin e tij. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton subjektet si ato të tregtimit me shumicë (sh.a), edhe ato të tregtimit me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për automjete, që brenda datës 9 janar 2017 të depozitojnë stokun e produktit, në mbyllje të datës 31.12.2016 dhe të depozitojnë këtë dokument pranë Degëve Doganore, sipas kompetencës territoriale.

Me hyrjen në fuqi të disa ndryshimeve dhe shtesave në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, nga data 1 janar 2017, është parashikuar taksimi me 8 lekë/ litër i produktit gaz i naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike për përdorim si lëndë djegëse për motor automjetesh. “Lidhur me këtë ndryshim ligjor, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave informon subjektet e tregtimit me pakicë të këtij produkti se duke filluar nga 1 janari 2017, asnjë subjekt nuk do të lejohet të kryejë blerje të këtij produkti pa paguar më parë detyrimet e akcizës. Ndërsa subjektet e tregtimit me shumicë të tij nuk do të lejohet të shesin produkt pa paguar më parë detyrimet e akcizës. Me qëllim shitjen me detyrime akcize të paguara për produktin që kanë gjendje në magazinat e tyre në datë 1 janar 2017, shitësit me shumicë detyrimisht duhet të marrin statusin e Depozituesit të Miratuar, procedurë kjo që nis në Degën Doganore territorialisht kompetente”, – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

KONTROLLET
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se në rast se evidentohen subjekte tregtuese të këtij produkti, të cilët nuk kanë depozituar stokun në mbyllje të datës 31.12.2016, aktiviteti i tyre do të bllokohet deri në përmbushjen e kushtëzimeve ligjore. “Edhe në rast të evidentimit të subjekteve të tregtimit me pakicë të këtij produkti, të cilët pas datës 1 janar 2017 kryejnë blerje dhe shitje të tij pa paguar detyrimet e akcizës, sërish aktiviteti i tyre do të bllokohet, përmes Procesverbaleve të Bllokimit dhe Plumbosjes.

Subjektet e bllokuara do të monitorohen në vijimësi nga Degët Doganore mbikëqyrëse, sipas ligjit 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar’. Masa e bllokimit do të qëndrojë në fuqi deri në plotësimin e kushtëzimeve ligjore nga ana e subjekteve të bllokuara. Me plotësimin e kushtëzimeve ligjore, autoritetet doganore në mënyrë të menjëhershme do të marrin masa për zhbllokimin e aktivitetit të tyre”, – thuhet në njoftim. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje subjekteve që në rast të bllokimit të aktivitetit, të tregojnë kujdes maksimal ndaj elementëve të sigurisë që vendosin autoritetet doganore, si psh., plumbçet. Nëse do të konstatohen dëmtime të plumbçeve përgjatë periudhës së bllokimit, ndaj subjekteve do të veprohet sipas legjislacionit të akcizës dhe Kodit Penal.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: