I ftuar në emisionin “Alert” në News24, nga Granit Sokolaj, Kujtim Mersini, epidemiolog Veterinar ka folur për pulat e skartimit, tregtimin e tyre dhe ndërgjegjësimin e konsumatorit. Mersini tha se pulat e skartimit cilësohen ato pula që kanë kryer ciklin e vezëve dhe duhet të shiten me çmim më të ulët se brojlerat, pra ato pula që rriten për mish. Përsa i përket çështjes së mashtrimit të konsumatorit, Mersini tha se mund të ndodh si fenomen, por që nuk ka statistika që pulat e skartimit mund të etiketohet si pula fshati dhe se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) duhet të ndjekë gjurmueshmërinë.


“Kemi të bëjmë më shumë me një fenomen tregtar sesa sigurie, tregu mund ta rregullojë përmes një çmimi më të lirë. Është edhe çështje ndërgjegjësimi konsumatori, kur blejmë produkte ushqimore synojmë atë që na pëlqen më shumë. Pulat e skartimit dallojnë nga brojlerat, ndryshimi vihet re që në peshë, shije, kanë kockat më të dobëta dhe duan më shumë kohë për t’u zier”-tha Kujtim Mersini.


Përsa i përket sigurisë, Mersini tha se janë pula për konsum dhe janë më të sigurta se pulat e oborrit pasi janë të vaksinuara.


“Pulat e skartimit kur tregtohen si pula të oborrit, vijnë nga pularitë me imunitet më të lartë sepse janë të vaksinuara, të sigurta. Strukturat e AKU duhet të ndjekin gjurmueshmërinë, pasi pulat trajtohen me antibiotikë dhe nuk duhet të dalin për një kohë në treg, shumë prej tyre kalojnë në ushqimin tonë, në zinxhir mund të shkelet një rregull. Problem mbetet edhe kontrolli i nënkontraktorëve të cilët shpeshherë mund të kthehen në abuzues”- tha Mersini.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb