TIRANE

Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një subjekti tregtar, pasi tregtonte produkte mishi e bulmeti pa licencë. Policia bën me dije se është arrestuar në flagrancë pronari i një subjekti me inicialet A. A., 48 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu ky subjekt është gjobitur nga AKU me gjobë 1.650.000 lekë si dhe nga Hetimi Tatimor me 137.366 lekë.

Njoftimi nga policia:

Bashkëpunimi i Policisë me institucionet e tjera vë në pranga një pronar subjekti, pasi tregëtonte produkte mishi e bulmeti pa licencë.

Policia e Tiranës në bashkëpunim me AKU dhe Hetimi Tatimor kanë ushtruar kontrolle në subjekte të ndryshme të qarkut Tiranë për evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara u bë arrestimi në flagrancë i pronarit të një subjekti, i shtetasit A. A., 48 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi i kundraligjshëm i mallrave dhe artikujve ushqimor”, “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”, parashikuar nga nenet 288/a, 178, 179 të Kodit Penal.

Në subjektin e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme me produkte mishi dhe bulmeti pa licencë.

Ky subjekt u gjobit nga ana e AKU-së në shumën prej 1.650.000 lekë për shkeljet e konstatuara, ndërsa nga ana e Hetimit Tatimor në shumën prej 137.366 lekë për mallra pa faturë të dyshuara si kontrabandë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb