Me çadra të improvizuara e të vendosura nga vetë tregtarët, në kushte skandaloze dhe jashtë çdo standardi higjeno-sanitar zhvillohet tregu i përjavshëm fshatrat në zonën e Lumasit.

Një shesh në hyrje të fshatit Lumas, me rrugë të pashtruara dhe ku balta, uji e pluhuri janë prezente kudo, shërben si vend tregtimi për produktet ushqimore.

Mes baltës e llucës në dimër dhe mes pluhurit në verë, në këtë treg tregtohet: djathi, gjalpi, peshku, frutat, perimet…

Banorët e 12 fshatrave të ish/njësisë administrative Lumas në bashkinë e Kuçovës, janë të detyruar të blejnë produkte e tyre ushqimore në një treg që nuk plotëson asnjë kusht për t’u cilësuar i tillë.

Të bindur edhe vetë se këto kushte lënë shumë për të dëshiruar, tregtarët shprehen se nuk kanë se ku të punojnë tjetër pasi duhet të ushqehen.

“Edhe pse kushtet janë skandaloze ne jemi të detyruar të punojmë. Askush nuk kujtohet për ta sistemuar këtë treg, edhe pse kemi 30-vjet që paguajmë taksat e tregtimit në bashkinë Kuçovë”-, shprehen tregtarët.

Vetë konsumatorët pohojnë se, kushtet e tregut janë shumë të këqija por se ata janë të detyruar të blejnë çka u nevojitet në shtëpi.

Duke qenë se qyteti është larg për ta, ky treg që zhvillohet një herë në javë shihet si e vetmja mënyrë për ta për të bërë furnizime dhe ku dyndet i gjithë fshati për blerje.

Banorët shprehen të pakënaqur nga standardet e këtij tregu dhe deklarojnë se janë ankuar në bashki, por askush nuk i dëgjon.

“Kushtet janë skandaloze, higjiena mungon”, kanë thënë banorët.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb