Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës ka realizuar një intervistë ekskluzive me Reporterët pa Kufij në lidhje me raportin e publikuar mbi lirinë e shtypit  në botë.

Të pyetur në lidhje me faktin që pavarësisht se Shqipëria ka pasur një rritje minimale në pikët e vlerësimit, është rritur në renditje, Reporterët pa Kufi kanë shpjeguar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur aspak për shkak të punës së bërë nga Shqipëria, por nga rënia në renditje e shteteve të tjera.

Reporterët pa Kufi shtojnë gjithashtu se sa i përket klimës së medias në vendin tonë, ndikimi i politikës është përkeqësuar.

Pjesë nga intervista: 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD): Na lejoni t’ju bëjmë që në hyrje këtë pyetje që e gjykojmë me interes për gazetarët në Shqipëri dhe për opinionin publik në përgjithësi. Konstatohet ne raportin tuaj mbi lirinë e shtypit ne Shqipëri një forme paradoksi: nga njëra ane Shqipëria figuron në klasifikimin botëror të lirisë së shtypit me disa vende më lart se një vit më parë , por nga ana tjetër brendësia e analizës suaj përmban tone shumë më kritike se ç’lë të kuptoje progresi në « kopertinë ». Si e shpjegoni që analiza është më e ashpër se nota?

Reporterët pa Kufij: Jam i kënaqur që mund t’ju jap këtë intervistë dhe përveç kësaj është shumë mirë që gazetarët shqiptarë jashtë vendit janë kaq mirë të organizuar. Nuk ndodh gjithmonë ky përkushtim i njëjtë edhe me gazetarët e vendeve të tjera, ku liria e shtypit çalon. Më lejoni fillimisht disa konsiderata për indeksin e lirisë së shtypit në përgjithësi në botë dhe më pas për Shqipërinë në veçanti.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit është njëkohësisht një krahasim në nivele ndërkombëtare dhe një matës i lirisë së shtypit. Ky indeks mbështetet në një metodologji shumë transparente dhe mjaft të detajuar që gjithkush mund ta konsultojë në faqen tonë të internetit. Kjo metodologji u modernizua vitin e kaluar.

Kjo do të thotë se nuk ka rëndësi se sa vende fiton apo humb në klasifikim një shtet, por sidomos nota e performancës (score) që merr ky shtet. Po të vërejmë rastin e Shqipërisë në pamje të parë duket sikur Shqipëria ka avancuar për sa i përket lirisë së shtypit meqenëse ajo renditet këtë vit shtatë vende më mirë se një vit më parë, duke kaluar nga vendi i 103-të në vendin e 96-të, midis 180 shteteve të indeksuara. Por nota tjetër, ajo që jep performancën, pothuajse nuk ka lëvizur.

Vitin e kaluar kjo notë i jepte Shqipërisë 56.41 pikë ndër 100. Ndërsa këtë vit 57,86 pikë ndër 100. Diferenca është fare minimale, vetëm 1.45 pikë mbi 100. Asnjë vend nuk ka 100 pikë. As Norvegjia, që konsiderohet si më e mira, nuk i ka 100 pikë. Ne konsiderojmë se Shqipëria nuk ka bërë përparim të dukshëm, ndonëse rezultati i Shqipërisë në dukje është përmirësuar minimalisht.

Ja si shpjegohet ky paradoks. Ato shtatë vende më lart që Shqipëria ka fituar në klasifikim nuk vijnë tërësisht për meritë të saj, por për shkak të zbritjes në klasifikim të shteteve të tjera që ndodheshin para saj. Duke qenë se është një analizë krahasuese në nivel ndërkombëtar, pozicioni i secilit vend varet edhe nga pozicioni dhe situata e vendeve të tjera. Theksoj se është e rëndësishme të vështrohet jo vetëm rendi në klasifikim, por edhe nota e performancës (score), pasi është kjo notë që pasqyron gjendjen e vetë shtetit, pa e krahasuar me shtete të tjera.

Pra, është me të vërtetë e rëndësishme të analizojmë tani me prioritet këtë nocion të performancës sepse ajo tregon gjendjen reale të lirisë së shtypit në Shqipëri. Mund t’ju them se bazuar në këtë performancë, rezulton se Shqipëria në fushën e lirisë së shtypit, vuan. Ajo këtë vit është në stanjacion. Brenda notës së performancës ka 5 tregues.

I pari dhe më i rëndësishmi është kriteri politik që bazohet në situatën politike të vendit, sepse ajo ka ndikim madhor në lirinë e shtypit.
Shikoni me vëmendje në rastin e Shqipërisë se si ky tregues politik ka degraduar qartësisht.
Vitin e kaluar ne i jepnim treguesit politik në Shqipëri një notë 50.55 mbi 100. Këtë vit ky tregues humb tre pike, me 47.76 pike mbi 100.

Kjo do të thotë se klima politike është përkeqësuar. Dhe për ne është shumë e qartë. Nëse klasifikimi i Shqipërisë në indeksin tonë do të bëhej vetëm mbi bazën e treguesit politik, Shqipëria nuk do të ishte në vendin e 96 por në atë të 124 ndër 180 shtetet e renditura.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD): Por atëherë, përse nota globale e performancës së Shqipërisë ka fituar rritje, qoftë dhe minimale?

Reporterët pa Kufij: Siç e thashë më parë, në këtë notë ka pesë tregues. I pari ka të bëjë me kontekstin politik.

Ky tregues është përkeqësuar.

Treguesi tjetër që lidhet me sigurinë (fizike te gazetareve) ka marrë një notë më të mirë se vitin e kaluar. Ky është në radhë të parë rezultati i përgjigjeve të të anketuarve ndaj pyetësorëve tanë për Shqipërinë.

Së dyti, kjo notë më e mirë që i është dhënë këtë vit treguesit te sigurisë, pasqyron përpjekjet e policisë shqiptare për të ndaluar në mënyrë më efikase ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj gazetarëve. Po sjell si shembull rastin e sulmit ndaj gazetarit Elvis Hila. Autorët e sulmit kundër tij u identifikuan mjaft shpejt.

Reporterët pa kufij dhe organizata të tjera kanë publikuar komunikata që përshëndesin përpjekjet e policisë shqiptare për këtë rast. Kjo reflektohet në një notë më të mirë që i japim kriterit të sigurisë në raportin tonë vjetor krahasuar me një vit më parë.

Treguesi tjetër, ai i kuadrit ligjor në lidhje me lirinë e shtypit, ashtu si treguesi politik nuk e përmirëson notën e përgjithshme të Shqipërisë në këtë raport vjetor sepse ka një rënie ndonëse të vogël.

Treguesi ligjor jep një imazh me kontraste. Nga njëra anë ka një zhvillim pozitiv sepse paketa ligjore aq e përfolur kundra shpifjeje por që kufizonte lirinë e shtypit, më në fund u hoq nga Parlamenti. Ky ishte një gjest në kahun e duhur për lirinë e shtypit. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos merrnim parasysh një zhvillim negativ në treguesin ligjor kur prokuroria shqiptare u ndaloi gazetarëve dhe mediave të publikojnë informacione që rridhnin pas një sulmi kibernetik ndaj institucioneve shqiptare ndoshta me origjinë iraniane. Dhe në fakt për shkak të këtij vendimi të prokurorit, Shqipëria cilësohet si një vend problematik në analizën tonë për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Janë shumë pak vende që përmenden me emër mes 60 vendeve që përbëjnë këtë zonë të globit. Nuk mund t’i përmendim të gjitha vendet, por identifikojmë tendencat në rajon. Një nga tendencat që vërejmë është rasti negativ i Shqipërisë dhe kufizimi i paligjshëm i lirisë së shtypit në emër të sigurisë kombëtare. Është Shqipëria që merret si shembull për keq në raportin tonë vjetor për gjithë zonën Europë dhe Azi Qendrore. Në këtë analizë përmendet për keq dhe një shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor, Serbia.

Prandaj them se treguesi ligjor i jep Shqipërisë një imazh të përzier. Nga njëra anë kemi heqjen e paketës anti-shpifje nga rendi i ditës së parlamentit dhe nga ana tjetër kemi kufizimet e vendosura nga prokuroria për mos dhënie informacionesh pas sulmeve kibernetike, në emër të sigurisë kombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb