Ministria e Financave ka publikuar treguesit fiskale të 8 mujorit të vitit 2018 ku rezulton se të ardhurat janë 9 miliardë lekë më shumë krahasuar më te njëjtën periudhë të një viti më parë.

 Të ardhurat totale për 8 mujorin 2018, u realizuan në vlerën 294 miliardë lekë, me një rritje 3% ose 9 miliardë lekë më shumë se 8 mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 99%.

Të ardhurat e arkëtuara nga “tatimet dhe doganat(përfshirë kontributet e mbledhura nga D.P.T) për 8 mujorin 2018, janë 259 miliardë lekë, 4.3% ose 10.7 miliardë lekë më shumë se 8 mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 99.6%.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 4 miliardë lekë, me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 96.2%.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 29.7 miliardë lekë, me realizim kundrejt planit në masën 98%. Ndikim ka pasur “Karburanti” (import+prodhim vendas), që rezultoi rreth 384,075 ton, me një rritje prej 2,897 ton ose +0.8% krahasuar me 8 mujorin e vitit 2017. Gjithashtu performancë pozitive si rezultat i rritjes së sasisë kanë shënuar: importi dhe prodhimi i “Birrës” +2.4%; importi i “Duhanit” +4.9%; importi i “Vaj lubrifikant” +6.3%, import i “Kafes” +8.4%. Deklarimi i prodhimit vendas të duhanit është rritur nga 7 ton në 13 ton të deklaruara në periudhën Janar-Gusht 2017.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 1.8 miliardë lekë, me një rritje 17.5% ose 269 milionë lekë më shumë krahasuar me 8 mujorin e vitit 2017. Krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar dhe si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 230 milionë lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 81 mijë ton dhe janë rritur me 280 milionë lekë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 2.85 lekë/kg në 3.54 lekë/kg. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 115 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 297 mijë ton si dhe janë ulur me 126 milionë lekë, për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 93.3 miliardë lekë, me rritje 4% ose 3.5 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017 dhe me realizim në masën 98.8% të planit. Rritja e importit të karburantit ka ulur prodhimin vendas të këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit. Karburanti import mbuloi rreth 87% të konsumit gjatë periudhës Janar-Gusht të vitit 2018 krahasuar me 69% që ishte ky tregues vitin e kaluar. Rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja (EURO dhe USD) kundrejtë monedhës vendase, ka dhënë gjithashtu efekte të ndjeshme negative në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja në import për të gjitha kategoritë e mallrave. Janë rimbursuar rreth 9.2 miliardë lekë, 12.6% ose 1 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 21.7 miliardë lekë, me rritje 3.1% ose 658 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.  Situata energjitike e vitit të kaluar ka dhënë efekte negative në rezultatin financiar të kompanive të sistemit energjitik, çka u reflektua në uljen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar në vitin 2018.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 25.1 miliardë lekë, me rritje 14.2% ose 3.1 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017 dhe +2.9% ose 706 milionë lekë më shumë krahasuar me planin. Krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm, kjo si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 23.8 miliardë lekë, realizim në masën 100.5% ose 111 milionë lekë më shumë se plani.

Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 59.5 miliardë lekë, me rritje 9% ose 5 miliardë lekë më shumë se 8 mujori i vitit 2017 dhe 0.6% ose 384 miliardë lekë më shumë se plani. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tetë të vitit 2018, arritën në rreth 289.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.9 përqind ose rreth 5.54 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 dhe me një realizim në masën 98.1 përqind të planit të periudhës.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim optimal, respektivisht në masën 98.5 përqind dhe 96.6 përqind të planit të periudhës.

Shpenzimet korente për periudhën 8 mujore të vitit 2018 rezultuan në rreth 250.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 1.4 përqind më i lartë ose rreth 3.6 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për muajin e tetë të vitit 2018 paraqesin një realizim në masën rreth 39.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 13.5 përqind më i lartë ose rreth 4.7 miliard lekë më shumë.

Niveli i suficitit në muajin e tetë të vitit 2018 rezultoi në rreth 4.08 miliardë LEK, ose rreth 3.98 miliardë lekë më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë ku niveli i suficitit rezultonte në 101 milion lekë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb