Kukësi po mundohet që ta shfrytëzojë pushimin për t’u rikthyer në formë sa më optimale për pjesën në vazhdim. Kuksianët i presin sfida e jo të lehta, ku për hir të së vërtetës kanë përpara një kalendar shumë të fortë.
Në 3 ndeshjet e radhës në kampionat ku do të mundohen që të mos dalin pa pikë. Një tur force dhe që mund të tregojë se Kukësi ka potencial të bëjë “dëm” ndaj ekipeve që pozicionohen më lart në renditje, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani. Pas ndërprerjes së shkurtër, verilindorët do të presin Vorën, që është pretendentet për ngjitjen në Superiore. Më pas, kanë dy transferta të vështira, fillimisht në Fier përballë Apolonisë dhe më pas ndaj Flamurtarit. Fierakët vijnë pas një forme të mirë në javët e fundit, ndërsa vlonjatët jo më kot janë në krye.
Me pak fjalë, tri javë “ferri”, ku të besuarit e trajnerit Emiljano Çelës do të përpiqen të mos dalin pa gjë, edhe pse misioni është i vështirë. Përpara këtyre ndeshjeve të kampionatit, verilindorët kanë një test jo të vogël në Kupë, ku do të sfidojnë Pogradecin në “Kukës Arena”. Kalimi i turit do t’i shërbente skuadrës për më shumë besim, ndaj Kukësi po bëhet gati që të jetë në formë pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.