Pjesa më e madhe e Ballkanit është mësuar me verat e nxehta, por kjo e fundit theu rekordet e mëparshme me valë të përsëritura të nxehtit dhe një korrik dhe gusht pothuajse tërësisht të thatë.

Ekspertët thonë se vera e vitit 2024 në Ballkan ishte më e nxehta që nga fillimi i matjeve më shumë se 130 vjet më parë. Periudhat e gjata me temperatura mbi 30C që nuk ranë nën 20C gjatë natës i kanë shtyrë temperaturat mesatare në nivele të larta, shpjeguan meteorologët.

“Vera normalisht nënkupton shkëmbim të ditëve të nxehta me temperatura të larta dhe më pas pushim pas pesë deri në gjashtë ditë me shi dhe stuhi”, tha meteorologu serb Nedeljko Todoroviç.

“Por kjo ndodhi vetëm në qershor. Praktikisht gjatë gjithë korrikut dhe gushtit nuk pati shi, ndërsa temperaturat e larta vazhduan.”

Shkencëtarët e klimës thonë se ngrohja globale e shkaktuar kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile ka çuar në temperatura më të ngrohta, ku bota kohët e fundit ka përjetuar 13 rekorde të njëpasnjëshme mujore të nxehtësisë .

Shërbimi evropian i klimës Copernicus raportoi të premten se vera e vitit 2024 ishte gjithashtu më e nxehta e regjistruar në Tokë.

Evropa Juglindore ishte “e bllokuar” këtë verë nën një masë ajri të ngrohtë subtropikale nga Afrika Perëndimore dhe zona e Detit Mesdhe, tha Goran Pejanoviç, nga Shërbimi Hidrometeorologjik i Serbisë.

“Ne patëm katër valë të nxehti … më intensivja në korrik zgjati nga 5-21 korrik, për gati tre javë pa një pikë shiu,” tha ai. Në përgjithësi, kjo verë në Serbi ishte 3.3 gradë më e ngrohtë se mesatarja, shtoi ai.

Në Slloveni, vendi alpin në kufi me Austrinë dhe Italinë, temperaturat mesatare të verës u rritën me 2.5 gradë në krahasim me periudhën para vitit 2020, sipas Agjencisë së Mjedisit të vendit.

Vera në Slloveni kaloi pa periudha më të freskëta që janë normale për vendin malor, thuhet në raport. Temperaturat e larta rekord nuk u gjetën në ultësira, por në lartësi më të larta në Alpet Juliane, ndërsa temperaturat në të gjithë vendin mbetën mbi 30C në fillim të shtatorit.

“Të gjitha rekordet u thyen” edhe në Bosnje kur bëhet fjalë për numrin e netëve dhe ditëve shumë të ngrohta. Këto u trefishuan në disa zona krahasuar me vitin e kaluar, i cili mbante një rekord të mëparshëm, tha Bakir Krajinoviç, nga Instituti Hidrometeorologjik i Bosnjës.

Kroacia fqinje raportoi temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë në detin Adriatik, të cilat gjithashtu arritën 30 gradë Celsius në disa zona.

Viti i kaluar më parë ishte viti më i nxehtë i regjistruar globalisht , pasi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit dhe fenomeni i motit që ndodh natyrshëm El Niño, i cili ngroh pjesë të Paqësorit, u bashkuan për të arritur nivele të larta.

Moti i nxehtë në Ballkan ka tharë lumenjtë në Bosnje dhe Serbi, ka shkaktuar zjarre të furishme në Kroaci, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, tkurrjen e të korrave dhe djegien e tokës bujqësore në të gjithë rajonin.

Edhe pse ndikoi për mirë në industrinë e turizmit përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë, vera shumë e nxehtë ishte e keqe për bujqësinë dhe prodhimin e energjisë. Pothuajse 98 për qind e energjisë së Shqipërisë vjen nga hidrocentralet që u gjymtuan nga thatësira mujore.

Maqedonia e Veriut luftoi me rreth 2000 zjarre në pyje në tre muajt e fundit, tre herë më shumë se në vitin 2023. Zjarret shkatërruan dhjetëra mijëra hektarë pyje. Zyrtari i urgjencës Stojançe Angelov paralajmëroi se “nuk ka mbaruar ende … nëse nuk bie shi së shpejti, do të kemi zjarre deri në nëntor”.

Dhjetra fshatra dhe qytete në Serbi u përballën me kufizime të ujit të pijshëm për shkak të thatësirës. Ushtarët sollën depozita uji në malet në jugperëndim të vendit për bagëtitë dhe kuajt e etur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb