Partizani prej disa ditësh po kryen një minifazë përgatitore, që po i shërben mësë shumti trajnerit Aleksandar Veselinoviç për të njohur skuadrën dhe karakteristikat e lojtarëve.

Trajneri serb gjatë këtyre ditëve ka kërkuar ta stërvitë skuadrën në privatësi, pa u ndikuar nga asnjë element tjetër. Gjatë gjithë këtyre ditëve skuadra është trajnuar me dyer të mbyllura dhe në asnjë ditë nuk është parë e arsyeshme prania e mediave.

Trajnerit i është dashur të punojë me një numër të reduktuar lojtarësh të ekipit të parë, pasi siç dihet pesë futbollistë janë të angazhuar me Kombëtaret. Arshonzh Bintsuka, i cili ishte thirrur nga Kombëtarja e Kongos për ndeshjet e radhës, është kthyer në stërvitje me ekipin dhe është në dispozicion të trajnerit serb.

Sakaq, është mbyllur edhe çështja e dëmtimeve në skuadrën e kuqe. Vangjel Zguro dhe Gjelbrim Taipi janë kthyer në stërvitje me grupin, teksa e njëjta gjë së fundmi ka ndodhur edhe me një nga afrimet e verës, Jozef Mintongo.

Kamerunasi nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje zyrtare, që nga dëmtimi në ndeshjen me Apoloninë para nisjes së Superiores. Tashmë ai pritet të jetë në dispozicion të trajnerit dhe mbetet të shihet nëse do ta fitojë besimin e tij apo jo.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb