TRIPOLI, LIBI

Ish-gjenerali i Gadafit Khalifa Haftar po e vijon ofensivën ushtarake në Tripoli, në përpjekje për të mundur atë që quhet “qeveri e mbështetur nga ndërkombëtarët” në kryeqytetin e vendit.

Dy javë pasi ka nisur konflikti, gjenerali veteran ndodhet në jug të kryeqytetit me forcat e tij, duke u përplasur me ushtrinë e qeverisë. Katari ishte vendi i parë që bëri thirrje për ndalim të armëve për ushtrinë e Haftarit në Libi, shkruan “Reuters”.

Media e njohur ndërkombëtare ka arritur të pyesë banorë të zakonshëm të Tripolit, në lidhje me atë sesi ata po e përjetojnë luftën. Banorët janë shprehur se po mundohen të ruajnë qetësinë, por kjo gjë është e vështirë, ndërsa i luten Zotit që gjithçka të përfundojë qetësisht.

“Ne vazhdojmë të shpresojmë. Lusim Perëndinë që luftimet të mbarojnë. E çfarë mund të bëjmë”, tha për “Reuters”, Mohamed Taha, 23 vjeç. Kafenetë dhe dyqanet deri tashmë janë të hapura dhe e vijojnë aktivitetin, pavarësisht situatës.

Fuqitë e huaja janë të shqetësuara, por nuk janë në gjendje të paraqesin një front të bashkuar për t’i dhënë fund luftimeve të Libi. Kujtojmë se shteti libian u zhyt në krizë të thellë politike e sociale, që pas vdekjes së Gadafit.

Konflikti ka bërë që 174 njerëz të ndërrojnë jetë, 756 të plagosen, ndërsa janë larguar nga vendi më shumë se 18 250 persona, sipas OKB. Mediat e huaja ngritën alarmin për ndonjë “Siri të dytë”.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb