Gjykata e Lezhës ka dënuar me 4 vite burg Erald Pajtanin, i cili në bashkëpunim me një person tjetër, në muajin nëntor të vitit 2020, vendosen një sasi eksplozivi në një objekt në ndërtim në zonën e Ranës së Hedhur, në Shëngjin.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetari Elidon Ndreka, i cili raporton se i riu nga Fushë-Kruja është shpallur fajtor për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe Prodhimi i Armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Shkatërrim i Pronës me Eksploziv”.

Gjyqtari Ilir Përdeda dha dënimin maksimal me 10 vite burg, por duke qenë se i riu përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe bashkimi i dënimeve, do të vuajë vetëm 4 vite në qeli.

Objekti në ndërtim në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka u sulmua dy herë me lëndë plasëse, konkretisht në muajit nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, ndërsa shpërthimi i dytë ende nuk është arritur të zbardhet. Shkak i këtyre ngjarjeve dyshohet të jenë bërë konfliktet e pronësisë në lidhje me truallin, ku po ndërtohej objekti disa katesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb