TIRANË

Partia Demokratike ka reaguar për ngjarjen e sotme, ku një  shtyllë e tensionit të lartë u shkatërrua me tritol në Laç, ndërsa i është përgjigjur Elisa Spiropalit dhe kreu të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, të cilët thanë se pas kësaj qëndrojnë Berisha dhe Basha.

Në reagimin e selisë blu thuhet se pas një shpifjeje të tillë,  fshihet dëshpërimi i kryeministrit, Edi Rama, i cili sipas saj, ka lidhur fatin me krimin dhe me porositësit e tritolit.

“Neveri për propagandën me tritol të Edi Ramës. PD hedh poshtë me neveri shpifjen e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit se pas shpërthimit me tritol të shtyllave të tensionit të lartë qëndron PD dhe opozita.Një shpifje e tillë tregon dëshpërimin e thellë të shefit të Taulantit dhe të Elisës, i cili e ka lidhur fatin me krimin dhe porositësit e tritolit. Nëse ai nuk ka dorë në këtë propagandë helmuese, Edi Rama, i cili ka kontroll të plotë mbi policinë, shërbimin sekret dhe prokurorinë, duhet të zbulojë pa vonesë ata që kanë urdhëruar dhe kanë vendosur tritolin në shtyllën e tensionit të lartë.

PD dënon me forcë këto shpifje djallëzore të nivelit të Griseldës, që bëhen për të nxitur urrejtjen dhe për të rritur konfliktin në vend. PD shpreh keqardhjen që PS ka ulur përfaqësimin e saj në nivelin e inteligjencës dhe ndershmërisë së Taulantit dhe Elisës. Ne e dimë se brenda PS ka personalitete që mund ta ndihmojnë partinë e tyre në këtë ditë të hallit ku ka rënë, duke kontribuar, njëkohësisht, në shkëputjen e lidhjeve të PS me krimin, e cila është bërë pengesë për të ardhmen europiane të vendit”, thuhet ne reagim.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: