Nga: ALBANA MYFTARI *

Shqipëria, në sytë e investitorëve të huaj potencialë prej muajsh e ka humbur betejën. Ministri i Brendshëm, në një përballje televizive për gjendjen e sigurisë dhe rendit në vend, duhej të kishte tërhequr vëmendjen e opinionit publik me një tregues dramatik të vrasjeve me tritol të biznesmenëve në 2014-ën. Ritmi i emisionit nuk krijoi mundësinë për të arritur në shifrën reale të viktimave, por premisat treguan se ai ishte tejet i lartë. Ndërsa vendosa të shkruaja këto radhë, e kisha të pamundur të gjeja te “transparenca online” e Ministrisë së Brendshme, pasojat e tritolit te biznesi, ndërkohë që nuk priste koha për të analizuar të dhënat e shtypit për publikimin e kësaj shifre dramatike.
Tritoli është njëra anë e medaljes së krizës, ndërkohë që 2014-ta dhe ky vit në nisje shfaqën dhe fenomenin e arrestimeve jo të pakta të biznesmenëve për shkak të faturave të papaguara të energjisë. Mos vallë ky është mesazhi që kjo qeveri u përcjell FMN-së, Bankës Botërore, USAID-it, PNUD-it e dhjetëra e dhjetëra agjencive ndërkombëtare, me shfaqje prangash në duar e burgje të tejmbushura me njerëz të biznesit që nuk kanë paguar energjinë apo kanë lidhur kabllot në mënyrë të paligjshme? Një qeveri e një shteti të së drejtës nuk mund t’i përgjigjet një paligjshmërie me një krizë ligjore, pasi ky është një cikël i mbyllur tejet i rrezikshëm për të ardhmen e tregut dhe të një ekonomie të decentralizuar.
Në fakt, të gjitha këto aksione në emër të ligjit dhe fatkeqësisht kryer nga Policia e shtetit, rezultuan të ishin veçse alibi për të forcuar monopolet në tregjet e reja të Rilindjes dhe tkurrjes së bizneseve ekzistuese për të dekurajuar investime të reja.
Vrasja e çdo biznesmeni, pavarësisht fuqisë së tij në treg, më duket një themel i hedhur në erë, jo vetëm i zhvillimit ekonomik, por dhe i institucioneve dhe shoqërisë sonë, që po shkon drejt një udhëkryqi historik. Jeta e çdo njeriu është e vlefshme për rëndësinë e saj, por kontributet njerëzore në një shoqëri ndahen për nga guximi dhe vlerat. Këtë fat të madh nuk e ka kushdo profesion dhe, në këtë pikë, të bësh biznes në Shqipëri, në këto dy vite po kthehet në një guxim historik dhe shoqëror që meriton vlerësim nga të gjithë ne.
Dhe kur bëhesh dëshmitar i përditshëm i tritolit në rrugë, biznesit, në farmaci e kudo, ndien pezmatim veçanërisht për të tashmen dhe të ardhmen ekonomike të këtij vendi. Promotori i zhvillimit është biznesi i brendshëm dhe i huaj, por qeveria e Rilindjes nuk rilindi për mbarë, asgjë në këtë drejtim, përkundrazi, ajo “rivdiq” shumë prej atyre që kishin rilindur më parë.
Por tritoli është dukja e ashpër e regresit në biznes, sepse brendia e ajsbergut përmban mendësinë konservatore të kësaj qeverie ndaj çdo nisme që sjell zhvillim.
Kryeministri ynë, vjen si një humbës i madh me investimet e huaja në shifra e performancë, sepse kjo ishte një betejë, të cilën ai e braktisi qëllimisht me shpërfillje, që në nisje të mandatit. Pse e them këtë? Sepse përqasja e politikave qeveritare dhe të mazhorancës në parlament në ngritjen e një klime të favorshme kanë qenë më së pakti modeste.
Investimet e huaja janë çështje doktrine të një qeverie dhe jo slogane retorike për “gracka” elektorale. Bilanci në këtë fushë i mendësisë së kryeministrit është dukshmërisht i varfër, i projektuar vetëm në televizione dhe ‘FB’ nëpërmjet pjesëmarrjes si i ftuar (aq rrallë si orator…) në samite kombëtare dhe ndërkombëtare për të prezantuar Shqipërinë si një vend mjaft atraktiv për të investuar. Përpos përsosmërisë së ‘show’-t, duket që kjo përpjekje nuk ka dhënë aspak efekt.
Investimet e huaja direkte, si gjenerator i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe punësimit, kanë pësuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2014 krahasuar me nivelin e FDI-ve të vitit 2013, pasojë kjo e humbjes së konkurrueshmërisë me vendet e rajonit dhe klimës aspak miqësore ndaj biznesit. Me gjithë premtimet e bujshme të kësaj qeverie, pak optimiste duken se janë edhe parashikimet për 2015-ën.
Prej më shumë se një viti e gjysmë, beteja e qeverisë për mbajtjen e premtimeve “utopike”, rezultoi të prodhonte një zhgënjim veçanërisht në komunitetin e biznesit.
Kështu, “parajsa fiskale” e qeverisë arriti më në fund ta bëjë ekonominë shqiptare aspak konkurruese ndaj ekonomive të tjera. Taksa progresive bëri të mundur që produktet shqiptare të jenë lehtësisht të konkurrueshme nga vendet e rajonit, të cilat aplikojnë taksën e sheshtë prej 10%.
Në optikën e çdo investitori, qoftë vendas apo i huaj, taksat progresive, 300.000 vende pune, shëndetësi falas, masat në arsim, mjedis e bujqësi etj., nuk janë gjë tjetër veçse një paradë suksesesh imagjinare që kjo qeveri po prodhon.
E ndërkohë që programi i Rilindjes erdhi shumë ambicioz në mbështetjen e investimeve të huaja, realiteti i krizës ka ulur perden e skenës tragjikomike që luhet me ekonominë e vendit. “4 mijë vende të reja pune përmes zhvillimit të industrisë së teknologjisë së informacionit, që do të punojnë për tregjet e huaja”, thuhej në këtë program, por kjo nuk ndodhi dhe ka shumë më pak gjasa të ndodhë edhe në muajt në vijim.
Në një vend ku qytetarët e saj largohen për të gjetur perspektivat gjetkë, si mund të pretendohet që investitorët e huaj të mund të qëndrojnë përballë barrierave si, mungesa e sigurisë juridike, futja në kolaps e sistemit energjetik, bllokimi i industrisë ndërtimore, instalimi i sistemit të taksës progresive, mungesa e incentivave dhe rritjes së kriminalitetit?
Premtimet dhe mbajtja e tyre është kontratë e çdo qeverie me qytetarin, por ajo që nuk po arrin dot ta fitojë kjo “qeveri megalomane”, është beteja me vetveten dhe një milion “shuplakave”.
Shqipëria, një vend që u bëri ballë me sukses presioneve të krizës botërore, gjatë 8 viteve qeverisje, arriti të kthehej në një aktor investitor, duke ndërmarrë reforma drastike, si “Disiplinë financiare, reduktim i kostove administrative dhe të biznesit, reforma në drejtësi, shëndetësi dhe arsim, liberalizim i tregut të energjisë, rritjen e investimeve publike në infrastrukturë, taksat e ulëta dhe lehtësirat ndaj biznesit, reduktimi i informalitetit dhe automatizimi i shërbimeve, politika të dizenjuara për tërheqjen e investitorëve të huaj “Shqipëria 1 Euro”, bazuar në volumin e investimeve dhe numrin e të punësuarve”.
Volumi i investimeve të huaja, vetëm në 2010-ën pati një rritje 8 herë më shumë se në vitin 2005; kjo, falë iniciativave të lartpërmendura që sollën rritje mbresëlënëse në ekonomi.
Kujtojmë gjithashtu se vetëm gjatë 2011-ës Shqipëria ka marrë mbi 1 miliard dollarë investime të huaja, shifra këto – siç do të deklaronte OECD – që kanë tejkaluar kapacitetet ekonomike të saj.
***
Raporti “Doing Business” ka rritur vlerësimin e Shqipërisë me 40 vende (renditemi në vendin e 68-të). Është një lajm shumë i mirë, por duhet theksuar se vlerësimi bazohej te reformat dhe masat e marra gjatë vitit 2013 (dhe jo nga masat e qeverisjes aktuale, pra meritë e reformave dhe masave të ndërmarra më parë), si p.sh.:
1. Në raport merrej parasysh norma e tatim-fitimit në masën 10% dhe jo 15%.
2. Në raport merrej parasysh fakti që kishte lehtësira në lejet e ndërtimit, ndërkohë që u bënë disa muaj që lejet e ndërtimit janë bllokuar.
3. Në raport merrej parasysh lehtësimi i procedurave të regjistrimit të pasurisë, ndërkohë që ka qenë një reformë e ndërmarrë që nga qeverisja e kaluar.
Raporti i HERITAGE (liria ekonomike), rënia me 9 vende e lirisë ekonomike vetëm në 1 vit është një tregues që duhet të alarmojë në themel strukturat ekzekutive.
Sikur qeverisja e 1 milion votave të mos kishte “fshirë” me një të rënë të lapsit gjithçka ishte bërë nën qeverisjen e mëparshme, sikur në vend të shëndoshjes së ekonomisë të mos kishte humbur energjitë e saj me propagandë, kjo qeveri nuk do të gjendej në vitin e dytë të mandatit me një bilanc “zero” në investimet publike.
Është fakt i njohur që, korrupsioni, kuadri ligjor, burokracia, kriminaliteti në rritje, shteti policor, sistemi fiskal dhe destabiliteti politik përçojnë mesazhe negative tek investitorët potencialë, duke bërë që investitorët t’i hedhin sytë drejt vendeve të tjera në rajon.
Ato çka duhet të ndryshojë me urgjencë qeveria në këtë vit zgjedhor janë: reduktimi i varfërisë, e cila ka shkuar në kufijtë e skamjes ekstreme, rishikimi i taksës progresive, masat kundër trysnisë ndaj lirisë ekonomike, zbatimi i strategjisë së investimeve në sektorët e infrastrukturës publike të qeverisë “Berisha” dhe dhënia e garancive kushtetuese ligjore për investitorët e huaj, si pjesë themelore e kontratës sociale të një milion “shuplakave”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: