Teksti: Don Lush Gjergji…
Rethi familjar mbetet më intimi, djepi që do të na përcjellë gjatë tërë jetës, si një lloj thesari dhe bagazhi që duhet ruajtur dhe përparuar, për ta pasuruar gjithnjë në jetë.
Kush është Gonxhe Bojaxhiu?
Gonxhe apo edhe Anjeze, është emri fa- miljar dhe i pagëzimit për Nënën Tereze. Ky emër, si i tillë, ka një kuptim simbolik, lulja në “zbërthim” apo edhe në “lulëzim”. Bojaxhiu është mbiemri i Nënës Tereze.
Familja Bojaxhiu ishte një familje e madhe tregtare, aq sa kishin mbërritur deri në Egjipt. Disa kanë mbetur atje, të tjerët kanë ardhur në Shkodër. Një pakicë kishte mbetur në Prizren, apo janë shpërngulur edhe në vende të tjera, si për shembull në Shkup. Kështu thonë dëshmitë e zoti Kaçulinit nga viti 1930, dhënë Lazër Bojaxhiut.
Kolë Bojaxhiu është i ati i Gonxhe Bojaxhiut. Ai e kishte vazhduar traditën shekullore familjare të tregtisë.
Dëshmia e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Nënë Terezës:
“Babai im ishte tregtar shumë i njohur, Fillimisht punonte dhe bashkëpunonte me doktor Shushkaloviqin, asokohe një ndër mjekët më të shquar të Shkupit.
Ishte tregtar dhe ndër marrës i mirë. Së bashku me një shok, ishte pronari i një ndërmarrjeje ndërtimtare shumë të njohur në Shkup. Arriti të kishte shumë shtëpi dhe vila. Në njërën prej tyre kemi banuar ne. Babai im ishte njeri shumë i shoqërueshëm, kështu që shtëpia jonë ishte e hapur për të gjithë. Pastaj babai u njoh me një tregtar italian, zoti Morteni, si duket nga Venediku, një pasanik i madh, i cili merrej me tregti të ndryshme: ushqime (vaj, sheqer), veshmbathje, lëkurë, domethënë me “prodhime koloniale”, si quheshin atëherë. Babai u bë ortak me të dhe për këtë ishte shpesh në udhëtime nëpër tërë Evropën. Kur vinte, të gjithëve na afronte rreth vetes, na sillte shumë gjëra, na tregonte shumë ngjarje dhe përjetime. Ishte i këndshëm dhe argëtues dëgjimi për udhëtimet dhe përjetimet e tija.Babai im ishte njeri i rreptë dhe kërkonte mjaft prej nesh…
E ndërsa Nënë Tereza shprehej:
Baba Kolë më thoshte: “Bija ime, mos merr e mos e ha asnjë kafshatë të gojës pa e ndarë me të tjerët”.
“Egoizmi është një sëmundje shpirtërore, që të robëron dhe nuk të lë të jetosh dhe t’i ndihmosh të tjerëve!”.
Kolë Bojaxhiu ishte po ashtu edhe këshilltar i bashkisë së Shkupit dhe kjo i kishte kushtuar me kokë dhe me jetë. Një ditë, kishte shkuar në Beograd për një takim të rëndësishëm, së bashku me këshilltarë të tjerë. Ishte helmuar. Kur u kthye, ishte shumë keq. Fjalët e tija të fundit ishin
: “Mos keni mërzi, çdo gjë do të rregullohet.. Çdo gjë është në duart e Zotit… Drane, të lutem, përkujdesu për fëmijët… Që prej sot ata janë në duart e Zotit dhe…të tua…”.
Vdiq vjeshtën e vitit 1919…
Drane Bojaxhiu (1889-1972)
Drane Bojaxhiu është nëna e Gonxhe Bojaxhiut e lindur në Novosellë, afër Gjakovës, në një familje të pasur dhe bujare, mbiemri i vajzërisë ishte Bernaj.
Lazër Bojaxhiu thoshte për familjen e tij: Nuk i kam parë prindërit e mi kurr duke u grindur. Nëna ime jetonte krejtësisht e kushtuar fëmijëve dhe shtëpisë, ndërsa babai im kishte shumë detyrime jashtë shtëpisë…”.
Nëna Tereze tregonte: “Kurrë nuk e harroj nënën time. Ajo ishte tërë ditën e zënë me punë, por pastaj, në mbrëmje, pa si t’i kryente të gjitha punët, e kishte zakon ta priste babanë tim. Ne atëherë nuk e kuptonim, nganjëherë edhe qeshnim. Sot nuk mund të mos e kujtoj atë takt madhështor, të cilin ajo e përdorte për trajtimin e tij. Çfarëdo që ndodhte, ajo ishte e gatshme ta priste me buzëqeshje.
Ajo ishte një grua e fortë, vërtet e pathyeshme, por në të njëjtën kohë edhe e butë, zemërgjerë dhe e dhembshme ndaj të varferve.Ishte shumë fetare.
Kishte një përshpirtëri të veçantë nda Zojës së Letnicës, shenjtërores ipeshkvore. Atje shkonim çdo vit gati për një muaj.
“Shumë varfanjakë të Shkupit dhe të rrethinës e njihnin derën e familjes Bojaxhiu. Askush nuk u kthye ndonjëherë duarthatë. Për çdo ditë shkonte dikush për drekë ose darkë.
Kush është Gonxhe Bojaxhiu? Përse kishte shkuar për t’u bërë murgeshë misionare, në një vend kaq të largët, në Indi? Kush ishin prindërit e saj, si ishte edukuar në rrethin familjar? Çfarë edukimi fetar, kombëtar, kulturor dhe shpirtëror kishte? Kur dhe si ishte bërë Motra Tereze? Çka kishte bërë për t’u quajtur dhe për të qenë vërtet – Nëna Tereze? Si kishte arritur të kishte aq shumë popullaritet, shpërblime, njohje dhe mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare? A ishte bërë rastësisht dhe shpejt e famshme, apo kishte një rritje të vazhdueshme dhe shkallore?
Për shumëkënd, si edhe për shume gazetar, shkrimtar, ajo ishte dhe mbeti një “kështjellë” e mbyllur, enigmatike, aq pak fliste për vetveten, për familjen e saj për të kaluarën, sepse në qendër të vëmendjes dhe të jetës, kishte gjithnjë dy realitete
Zotin dhe njeriun e vuajtur…
Nëna Tereze, shenjë e botës së re
Arkimedi pat thënë: “Ma jepni një pikë të palëvizshme e unë do ta lëviz globin tokësor. Nëna Tereze e gjeti këtë pikë të palëvizshme në ZOTIN-DASHURI dhe në VELLANË-NJERI. Dhe për mua për këtë, ajo ishte dhe do të jetë shenja e pranisë dhe e dashurisë së Zotit në botën tonë. Një frymëzim dhe një metodologji, për t’u përba- llur dhe për të zgjidhur fatbardhësisht shumë çështje, vështirësi të botës së sotme, për krijimin e një bote të re, një familje të re, të një shoqërie të re, më njerëzore, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, mbi “binaret” e së vërtetës dhe të bamirësisë.
E tërë jeta dhe vepra e Nënës Terezës është një risi, do të thosha edhe një “mrekulli”, sepse ajo ka tejkaluar çdo kufi kombëtar, racor, fetar, kulturor, moshor dhe ka dëshmuar konkretisht se asgjë nuk është e pamundshme për atë që ka fe dhe dashuri. Ajo ishte Nëna e botës, sidomos e botës së vuajtjes, mbi të gjithë, për të qenë dhe mbetur nëna e të gjithëve. Dëshmia e saj se edhe bota pluraliste apo dhe e “përzier”, në çdo kuptim dhe drejtim, nuk është pa fytyrë, pa aftësi, për të qenë afër dhe e aftë për ndërtimin e bashkimit në dallime.
Pa Dashuri, jeta, puna, familja, bashkësia, shoqëria, asgjë nuk ka kuptim, mbetet në errësirë dhe në hije, është e kufizuar dhe e përkohshme, e paqartë dhe e zbrazët.
Si Nëna Tereze, edhe ne, mund t’i hapim sytë më mirë për të parë më thellë dhe më larg, mendjen për të kuptuar, duart për t’u lutur dhe punuar, zemrën për të dashuruar.
Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht të vitit1910, si fëmija i tretë i kësaj familjeje. Të njëjtën ditë qe pagëzuar nga Don Zef Ramaj në kishën e “Zemrës së Krishtit” në Shkup. Thuhej se këtë emër e kishte zgjedhur baba Kolë. Për sa i përket shëndetit, ishte e dobët, dhe mu kjo edhe i brengoste prindërit e saj për rritjen e mëvonshme. Shkollën fillore e kishte vijuar pranë Kishës katolike, ndërsa të mesmen ne një shkollë shtetërore. Në të njëjtën kishë, ajo e kishte marrë Rrëfimin dhe Kungimin, si dhe përforcimin. Ishte shumë inteligjente, e dëgjueshme, gëzimi dhe dashuria e mbarë familjes.
Lorenc Antoni muzikanti i madh dhe kushëriri i nënës së Gonxhes shprehej:
“Gonxhja këndonte shumë bukur, ajo ishte soprane, kurse Agia ishte kontralto. Ato kënduan së bashku kompozimin tim të parë “Në breg të liqenit”, në muajin mars të vitit 1928, për qëllime humanitare dhe për t’i ndihmuar të varfërit. Gonxhja ishte e përpiktë në prova, arrinte para kohës dhe ishte shumë e hareshme. Gjithnjë merrte pjesë në programe të ndryshme të rinisë katolike: shpesh këndonte, luante, aktronte, recitonte…