Kriza e madhe që ka mbërthyer Luftëtarit këtë periudhë ishte vetëm fillimi i një fundi të pashmangshëm. Pas një sezoni ku mbijetuan me shumë sforco nga Gjirokastra nisi një eksod i madh ku pjesa më e rëndësishme e lojtarëve u larguan në destinacione të ndryshe. Dukshëm klubi kishte probleme të mëdha financiare por tashmë duhet të bëjë dhe pa presidentin Grigor Tavo i cili ka vendosur të jap dorëheqjen.


Tavo
Tavo

Në 4 vite ku Tavo kishte pjesën më të madhe të aksioneve, Luftëtari u kualifikua për herë të parë në Europa League ndërsa arriti të nxjerr në pah disa nga lojtarët më të mirë në qarkullim në vitet e fundit në futbollin shqiptar. Në letrën e tij publike Grigor Tavo sqaron arsyet e largimit duke mos e konsideruar si një braktisje por krijimin e mundësive për investitor të rinjë:


Te nderuar miq,


Ndiej detyrimin te komunikoj me te gjithë ju qe doni me shpirt dhe zemër Luftëtarin për te sqaruar situatën e vështirë ku gjendet ekipi ynë i zemrës. Ne katër vitet qe kam drejtuar Luftëtarin, jam krenar qe kemi arritur suksese qe edhe vete nuk i prisja. Kur fillimisht nisa te investoj për ketë skuadër, mendoja thjesht qe te ktheja Luftëtarin aty ku i takonte, ne elitën e futbollit shqiptar. E realizuam ketë qe ne vitin e pare pas shume sakrificash e vuajtjesh, dhe arritëm te festonim atë sukses. Ne tre vitet tona ne Superlige, siguruam pjesëmarrjen historike ne Kupat e Europes, por mbi te gjitha bëmë qe gjithë Shqipëria te fliste me superlativa për Luftëtarin dhe futbollin e tij.

Miq, sinqerisht qe sporti dhe veçanërisht futbolli ne kohet qe jetojmë kërkojnë shume sakrifica, mundim e investime. Ne këto katër vite edhe pse kemi një shoqëri aksionere, me disa ortake, Luftëtari është mbështetur dhe financuar vetëm nga Grigor Tavo. Nuk mund te harroj ne këtë rrugëtim edhe Bashkinë e Gjirokastrës, e cila deri tani ka përmbushur çdo obligim te sajin dhe ka plotësuar me se miri detyrimet dhe investimin qe i takon si aksioner tek K.F Luftëtari.

I gjendur ne një situate ku te gjithë aksionaret nuk e mbështesin Luftëtarin as ne kuotat qe u takon si një shoqëri aksionere, e kam te pamundur te vijoj drejtimin e skuadrës dhe shoqërisë ne tërësi. Është një vendim tepër i dhimbshëm për mua dhe jo vetëm. Do te largohem nga presidenca e Luftëtarit per ti hapur rruge investitorëve te rinj, qe ndoshta mund te bëjnë me shume për këtë skuadër dhe këto ngjyra qe secili prej nesh i ka ne zemër.

Dua qe ne këtë moment te falënderoj te gjithë bashkëpunëtorët e mi, miqte qe me kane mbështetur dhe veçanërisht tifozerine e mrekullueshme gjirokastrite, e cila na ka qëndruar pranë ne cdo hap.

Dorëheqja ime, kurrsesi nuk mund te shihet si një braktisje, por vjen për te hapur rrugën e investimeve ne skuadër per te mundësuar një ecuri sa me te mire, pasi Luftetari eshte me i rëndësishëm se cdo president apo drejtues.

Dua ta mbyll kete komunikim me premtimin qe gjithmonë do te jem tifozi numër një i Luftëtarit.

Sinqerisht,

Grigor Tavo